Paralajmërojnë gjermanët: Terrorizëm dhe huliganizëm në Botërorin rus

Futboll

Paralajmërojnë gjermanët: Terrorizëm dhe huliganizëm në Botërorin rus

Më: 6 mars 2018 Në ora: 23:42
ilustrim

Policia federale gjermane “BKK” pret që në Botërorin e Rusisë, pas pak muajsh, të ketë kërcënime serioze për sulme terroriste, si dhe akte huliganizmi masiv të planifikuara në detaje.

Një raport i brendshëm i institucionit në fjalë, i zbuluar nga “Deutsche Welle”, tregon se në turneun rus, që do të mbledhë përfaqësueset më të mira të globit në qershor dhe korrik, do të ketë trazira.

Sipas raportit gjerman, numri i luftëtarëve të ISIS-it me nënshtetësi ruse, që janë të pranishëm në luftën aktuale në Siri e Irak, si dhe të dhënat e agjencive të kundërzbulimit tregojnë se terroristët kanë në mendje sulme.

Gjatë përgjimeve të ndryshme, në rrjetet sociale dhe në shumë komunikime të qelizave ekstremiste është zbuluar se është intensifikuar përmendja e Botërorit të futbollit, që prej tetorit të vitit të kaluar.

Sipas raportit të policisë gjermane, luftëtarët e rikthyer në shtetin rus kërkojnë të hakmerren për goditjet ndaj bazave të ISIS-it në Siri.

Grupi xhihadist nuk ka munguar të shënjestrojë, përmes posterave kontroversë, edhe yjet më të pritur të Botërorit, si Neymar, Lionel Messi dhe Cristiano Ronaldo, të gjithë me fotomontazhe në pritje të ekzekutimit.

Gjithashtu ekziston frika se huliganë gjermanë do të popullojnë “zonat e tifozëve” në Rusi këtë verë. Në jo pak dyqane kanë nisur të shiten fanella me datat e Botërorit dhe referenca ndaj pushtimit të dështuar nazist të Rusisë, që nisi më 22 qershor të vitit 1941.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat