Ademi: Kozniku e ka pasur shansin, por ne kërkojmë trajner të dëshmuar

Futboll

Ademi: Kozniku e ka pasur shansin, por ne kërkojmë trajner të dëshmuar

Nga Më 1 mars 2018 Në ora: 17:39
Agim Ademi

Nënkryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, ka deklaruar për gazetën kombëtare “Bota sot”, se tani e tutje trajneri matet vetëm me rezultate dhe kërkojnë rezultat me kombëtaren e Kosovës! Ademi i përgjigjet ish futbollistit të mirënjohur Ardian Koznikut, i cili ditë me parë ka thënë: “Për herë të parë po e zbuloj për gazetën tuaj, se çfarë me tha Fadil Vokrri me 2 shtator në ndeshjen Kroaci-Kosovë. Unë e pyeta: Fadil, kanë mbetur edhe dy ndeshje, a do të mbetet ende Albert Bunjaku a po do të largohet nga selektori. Ai ma ktheu në katër sy:  Ardian, me Albertin do ta përfundojmë në fund të eliminatorëve për Kampionatin Botëror dhe do të marrim një trajner të madh.

Ndërkaq, unë ia ktheva: Fadil, faleminderit”. Kozniku e ka pranuar se në vitin 2014-15, para se të shkonte trajner në Shkëndijë të Tetovës, iu ofrua posti si drejtor sportiv për grupmoshat e reja, por sipas tij, ishte një post vetëm në letër dhe e kishte refuzuar. Ademi tha se e vërteta është ndryshe me Koznikun dhe sipas tij, iu është ofruar posti i koordinatorit për kombëtaren e Kosovës për grupmoshat e reja dhe në futsall. “Kohë me parë, bash në ndeshjen Kosovë-Shqipërinë (vër. jonë viti 2014), kryetari Fadil Vokrri i ofroi Ardian Koznikut postin e koordinatorit për grupmoshat e reja (U-15, U-17, U-19, U-21) dhe futsall. Ai e ka pranuar postin,  por çuditërisht e ndërroi destinacinonin dhe shkoi në Shkëndijë.

Kryetari Vokrri e ka qitur në Komitetin Ekzekutiv dhe është aprovuar që Kozniku të jetë koordinator.  Çështje e tij është pse nuk ka ardhur dhe nuk e di pse.  Duhet ta kemi parasysh se Ardiani vërtet e ka pasur karrierën e shkëlqyer, por në këtë rast kemi kërkuar trajner të reprezentacionit që duhet me qenë i dëshmuar si trajner, të paktën që ka punuar në kombëtare apo në klube të dëshmuara. Vërtet Ardiani i ka pasur dyert e hapura, si shumica ish futbollistëve të dëshmuar dhe disa prej tyre janë trajner në seleksione U-15, U-17, U-19, U-21, dhe kanë dhënë kontribut të jashtëzakonshëm. Pra, kanë qenë me Kosovë si në kohë të këqija si në kohë të mira. Kemi trajner të mirë shqiptar, por shpresoj ashtu si i kemi krijuar grupin e futbollistëve të mirë, do të krijojmë edhe grupin e trajnerëve që të jenë në kombëtaren A”, tha Ademi. Nënkryetari i Federatës tha se Koznikut iu është dhënë rasti.

“Ardian Kozniku e ka pasur shansin dhe iu është dhënë shansi për postin e koordinatorit dhe as tash e as atëherë nuk iu është mbyllur dera. Mund t’i vijë rasti prapë, por duhet dëshmohet secili si trajner, të cilët kanë krijuar rezultate shumë të mira, siç janë U-17, U-19, U-21, që janë të angazhuar ish bashkëlojtarët e tij. Duhet ditur gjithsecili se kombëtarja është interes i përgjithshëm dhe jo vetjak, i takon gjithë popullit, futbollistëve, trajnerëve. Ju mediat duhet t’i pyetni dy palët dhe te jemi të drejtë në deklarata tona dhe të sinqerta. Çdo gjë që bëhet në FFK kalon përmes Komitetit Ekzekutiv dhe është e vërtet që Vokrri e ka të drejtën e përzgjedhjes se selektorit, por kalon edhe në KE.  Gjithë opinioni duhet ta di, se do t’i vijë rasti, siç ishte Ajet Shosholli selektor, Bylbyl Sokoli, Edmond Rugova dhe së fundi Albert Bunjaku, që ka bërë ekip shumë homogjene. Tani e tutje, presim rezultate. Tani e tutje trajneri matet vetëm me rezultate dhe kërkojmë rezultate”, tha Ademi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat