Barça synon shkëputjen, Reali i Madridit vazhdimësinë

Futboll

Barça synon shkëputjen, Reali i Madridit vazhdimësinë

Më: 24 shkurt 2018 Në ora: 16:56
Barça

Pasi kaloi me sukses Chelsea-n në Stamford Bridge Barcelona i rikthehet kampionatit, me objektivin e qartë për t’u shkëputur përfundimisht dhe vrarë edhe ato pak shpresa që ushqen Atletiko e Simeones për të fituar në mënyrë të çmendur titullin në Primera Division. Dueli përcaktues ndërmjet tyre do të jetë pikërisht javën e ardhshme, kështu që Barça ka nevojë patjetër për 3 pikët në derbin me Xhironën, për t’u distancuar në 10 pikë nga “bardhekuqtë”, që ndeshjen me Seviljen do ta luajnë vetëm të dielën në mbrëmje.

Duke lënë mënjanë mbajtjen sterile të topit, në Londër skuadra blaugrana ishte prapa Chelsea-t në gjithcka tjetër, për më tepër në kryeqytetin britanik ekipi i Valverdes nuk gjuajti asnjëherë në kuadrat gjatë gjithë pjesës së parë dhe ishte me shumë shumë fat që i rrëmbeu bluve një gol me vlera të jashtëzakonshme në fushën kundërshtare.

Tani është koha për të reflektuar dhe për të kthyer faqe, duke filluar menjëherë nga takimi i orës 20:45 në Camp Nou, që për Barçën vjen pas 3 barazimeve në 6 ndeshjet e fundit, periudhë ku rendimenti në sulm ka rënë në mënyrë të frikshme, pasi lojtarët e Barcelonës në këto 6 sfida kanë shënuar vetëm 7 gola gjithsej. Xhirona në krahun tjetër mbetet një kundërshtar për t’u respektuar dhe pavarësisht disfatës 3-0 të fazës së parë, ku Barça për hir të së vërtetës përfitoi nga dy autogola, miqtë paraqiten me një skuadër tepër luftarake, mbi të gjitha me moshë mesatare më të re, që ka humbur vetëm 1 nga 6 përballjet e fundit në ligën spanjolle dhe synon të arrijë Zonën Evropiane, prej së cilës për momentin e ndajnë thjesht 4 pikë. Më herët në Santiago Bernabeu do të zbresin në fushë kampionët në fuqi, me Realin e Madridit që do të presë në orën 16:15 një kundërshtar të rrezikshëm si Deportivo Alaves.

Në fakt edhe pas 3 pikëve të marra në takimin e prapambetur të mesjavës me Leganes ekipi i Zinedine Zidane duhet të bëjë përsëri llogaritë me Valencian, që qëndron ngjitur në tabelën e klasifikimit. Klubi bask në krahun tjetër është duke kompletuar një arritje të jashtëzakonshme, sepse pas vetëm 3 pikëve në 10 javët e para të kampionatit ekipi nga Vitoria ka grumbulluar plot 22 pikë në 11 javët e fundit, praktikisht një pikë më tepër gjatë kësaj periudhe edhe sesa vetë kampionët në fuqi, që këtë herë pritet të vuajnë pa emra të tillë si Sergio Ramos, Marcelo, Toni Kroos dhe Luka Modric.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat