Kritika për Luftëtarin

Futboll

Kritika për Luftëtarin

Më: 19 shkurt 2018 Në ora: 16:07
Kritika për Luftëtarin

Barazimi me Laçin u përjetua si një humbje në Gjirokastër. Arsyet janë të shumta, nga avantazhi i dy golave që Luftëtari nuk arriti ta menaxhonte, te fakti që për afro një orë bluzinjtë luajtën në superioritet numerik dhe te rastet e shpërdoruara në portën kundërshtare.

Kritikat dhe pakënaqësia nuk kanë munguar. Mbi të gjitha mes tifozëve, që përpara barazimit në Laç panë sesi skuadra e tyre u eliminua edhe nga çerekfinalet e Kupës së Shqipërisë pikërisht nga kurbinasit.

Por, nëse “mëkati” më i madh i Luftëtarit është që në momente të caktuara nuk arrin t’i “vrasë” ndeshjet, statistikat e javëve të fundit në kampionat tregojnë se skuadra nuk e meriton përqasjen kaq të ashpër nga mbështetësit.

Përpos faktit të pranuar se të besuarit e Hasan Likës mbeten edhe në këtë sezon një prej ekipeve që praktikon futbollin më të bukur, ecuria është e denjë për një skuadër pretendente. Asnjë humbje në tetë ndeshjet e fundit në kampionat, për një total prej pesë fitoresh dhe 3 barazimesh.

Humbja e fundit është ajo e 26 Nëntorit 2017 në Shkodër, kur u thyen 2-1 nga Vllaznia. Ecuria e shkëlqyer nisi me barazimin përballë Flamurtarit, ndërsa gjatë këtyre tre muajve, Luftëtari ka fituar ndaj Kamzës, Partizanit, Skënderbeut dhe Kukësit.

Aspak keq për një skuadër që deri në gjysmën e parë të sezonit kishte si objektiv madhor mbijetesën, ndërsa tashmë edhe pse në vendin e shtatë në renditje, e sheh veten 3 pikë larg Laçit të vendit të tretë dhe me të drejtë sheh nga zona e kupave të Europës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat