Vllaznia-Teuta, në Shkodër luhet “finalja” e mbijetesës

Futboll

Vllaznia-Teuta, në Shkodër luhet “finalja” e mbijetesës

Më: 18 shkurt 2018 Në ora: 11:20
Ilustrim

Vllaznia dhe Teuta e dinë mirë se kur të zbresin në “Loro Boriçi”, sfida mes tyre nuk do të jetë thjesht një përballje e zakonshme kampionati, por një sfidë që mund të përcaktojë dhe se cila mes tyre do të vazhdojë të qëndrojë në Superiore sezonin e ardhshëm.

Të gjendura në pozita të pamenduara në fillim të sezonit, klubi shkodran dhe ai durrsak, siç dikton dhe klasifikimi me shumë gjasa do të jenë rivalë deri në fund me njëri-tjetrin sa i takon qëndrimit dhe rezultatet mbi të gjitha përballë njëri-tjetrit do të jenë ato që do të marrin një peshë specifike.

Për këtë arsye kjo përballje e së hënës mes Vllaznisë dhe Teutës është dhe si një finale e parë në garën për mbijetesën, ku fituesi mund të ketë një bonus jo të vogël për pjesën e mbetur të sezonit. Vllaznia për momentin ka një pikë më tepër në renditje, por bilanci me Teutën nuk e ndihmon.

Një fitore për shkodranët do të ishte një mini shkëputje drejt shpëtimit dhe një hap jo i vogël drejt këtij objektivi. E njëjta gjë vlen invers dhe për Teutën, që në “Loro Borici” e ka të qartë se të paktën nuk duhet të humbasë, për të pritur më pas finalen e dytë në fazën e fundit në “Niko Dovana”.

Sigurisht është paksa e dhimbshme të shohësh dy ekipe që kanë fituar trofe në Superiore që duhet të luftojnë për një objektiv të tillë si qëndrimi, aq më tepër që planët në fillim të kampionatit ishin të ndryshme, por në vitet e fundit Superiorja ka treguar se emri e tradita vlen pak dhe fusha është ajo që vlen tepër e për të fituar në fushë nevojitet shumë më tepër se historia, ndaj historia mënjanë Vllaznia-Teuta është një duel që duhet fituar, për secilin nga ata 11 lojtarë të cdo skuadre që do të zbresin në fushë, në mënyrë që shfaqja mes më të mirëve të mos përfundojë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat