Pirlo acaron juventinët

Futboll

Pirlo acaron juventinët

Më: 16 shkurt 2018 Në ora: 16:03
Pirlo

Pak lojtarë kanë pasur klasin e tij, “këmbë magjike”, me të cilat Milani fitoi gjithçka, Juventusi u rikthye te trofetë në Itali dhe fatkeqësisht humbi dy finale të Champions-it, Interi nuk i vlerësoi siç duhet cilësitë, ndërsa Breshia e Rexhina arritën ato mbijetesa të thjeshta në Serinë A, derisa edhe amerikanët, me skuadrën e Nju Jork Sitit, shijuan fantazinë e italianit, kampion bote në vitin 2006, me “axurrët”.

Tre muaj më parë, 38-vjeçari zyrtarizoi edhe largimin e tij nga futbolli i luajtur, një vendim për të cilin nuk është bërë aspak pishman, përkundrazi, tani kërkon vetëm që të marrë pak kohë për të menduar për të ardhmen, edhe pse një ide konkrete e ka dhe ajo lidhet sërish më fushën e lojës, ndonëse jo me futbollin e luajtur.

Gjithsesi, përpara se të vendosë përfundimisht hapin e radhës në jetën dhe karrierën e tij, Andrea Pirlo ka lajmëruar dje, në mënyrë të papritur, me anë të një letre në rrjetet sociale, zhvillimin e një ndeshjeje lamtumire dhe bamirësie, më datë 21 maj, ndonëse zgjedhja e stadiumit ka lënë shumë juventinë të zhgënjyer, disa të tjerë edhe të acaruar:

“Më 21 maj, do të jetë rasti për të ndarë së bashku një natë speciale, duke bërë atë që na pëlqen më shumë, një ndeshje lamtumire, në të cilën do të marrin pjesë disa prej miqve të mi më të mirë, futbollistë në aktivitet dhe të tërhequr. Kjo sfidë do të mbahet në tokën e shumë betejave, në ‘San Siro'”.

Ndoshta, juventinët do të kishin dashur që të luhej në arenën, ku ish-numri 21 luajti për katër vite, por tashmë gjithçka është vendosur dhe madje edhe e ardhmja e Pirlos:

“Nuk bëhem aspak pishman që jam tërhequr. Kam marrë vendimin e duhur dhe tani dua të mendoj se çfarë do të bëj me të ardhmen time, e cila do të jetë sërish në futbollin e luajtur.

Unë, trajner? Po, është një mundësi e madhe dhe po e mendoj seriozisht”, tha Pirlo.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat