Karamoh: Goli më i rëndësishëm i karrierës

Futboll

Karamoh: Goli më i rëndësishëm i karrierës

Më: 11 shkurt 2018 Në ora: 23:16
Yann Karamoh

“Ka qenë goli më i rëndësishëm i karrierës sime”. Këto kanë qenë fjalët e Yann Karamoh, lojtari që i dhuroi fitoren 2-1 Inter kundër Bologna-s me një të majtë magjike. 19-vjeçari ka bërë debutimin e tij si titullar në Serinë A dhe është përzgjedhur në mënyrë të papritur nga trajneri Spalletti, i cili e ka përfshirë në treshen e sulmit.

“Është padyshim goli më rëndësishëm i karrierës sime. Është i pari për mua në Itali dhe ka ardhur gjatë një periudhe delikate për skuadrën dhe unë nuk kisha luajtur shumë gjatë kësaj kohe. Shpresoj të luaj gjithmonë, siç bëjnë të tjerët, por i takon trajnerit të vendosë”, ka thënë Karamoh.

“Kur e mësova se do të isha titullar? Spalleti nuk tha shumë para ndeshjes, por vetëm që të bëja nxehjen dhe se shpejtësia ime do të ishte e dobishme për ekipin. Gjithashtu, më kërkoi që të luaja për shokët e skuadrës. Aktivizimi si titullar ka qenë një surprizë, por unë mendoj se është një hap i natyrshëm nëse punon dhe stërvitesh mirë”.

19-vjeçari ka treguar se është shumë i pjekur kur është pyetur në lidhje me duartrokitjen ironike që Brozovic i ka bërë tifozëve, të cilët po e vërshëllenin në momentin e daljes nga fusha. “Është një situatë e komplikuar për të, e shkaktuar nga rezultatet e skuadrës. Gjithsesi, nuk mund të kërkojmë justifikime. Nuk është faji i tifozëve nëse nuk fitojmë, është i yni”, ka thënë ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat