Dallku: Do të jetë pranverë shumë e nxehtë

Futboll

Dallku: Do të jetë pranverë shumë e nxehtë

Nga: Kemajl Goca Më: 9 shkurt 2018 Në ora: 19:05
Ardin Dallku

Në shumicën e shteteve të Evropës ka filluar pjesa e dytë e kampionatit në futboll, ndërsa me 16-17 shkurt do të nis edhe ai ukrainas. Mbrojtësi i kombëtares së Kosovës, Ardin Dallku, me padurim e pret pjesën e dytë të kampionatit ukrainas, me synime që me skuadrën e Vorskla Poltava-s të vazhdojnë me rezultate të mira sikurse në pjesën e parë të kampionatit.

Vorskla aktualisht mban vendin e tretë me 31 pikë, ka 11 me pak se Shakhtar Donetski, lider. Dallku është prej mbrojtësve më të mirë në kampionatin ukrainas dhe synimet e tija janë të qarta: Të jetë edhe në i përsosur se sa në vjeshtë. Ai për gazetën kombëtare “Bota sot”, ka deklaruar se është i gatshëm për çdo betejë sidomos për sfidën e fundjavës së ardhshme, kundër Veres Rivne. Megjithatë, Vorskla ndjen presionin edhe nga Zorya që mban pozitën e katërt me 27 pikë, Veres Rivne (26), Olimpik (25), Maripoul (23) etj.

”Bota sot”: Me 16-17 shkurt fillon pjesa e dytë e kampionatit ukrainas, si e sheh Vorskla-n?

Ardin Dallku: Vorskla-n e shoh shumë të përgatitur për kampionat sepse kemi pasur goxha përgatitje të forta nga ana fizike. Besoj se do të tregojmë vetën në mënyrën më të mirë të duhur dhe të vazhdojmë me rezultate të mira.

“Bota sot”: Në hapje të pranverës ndeshen me ekipin e Veres Rivne, a mendoni se do të fitoni dhe ku e shihni forcën kryesore të skuadrës tuaj?

Ardin Dallku: Ne gjithmonë futemi në fushë vetëm për fitore. Forca kryesore te ne është, se jemi një grup jashtëzakonisht i mirë dhe një për të gjithë luajmë dhe të gjithë për një. Është atmosferë shumë e mirë, kolektiv me një harmoni e disiplinë të madhe.

“Bota sot”: Vorlska është në vend të tretë, por besoni e shpresoni se do ta ruani këtë pozitë deri në fund dhe nga cilat skuadra e keni presionin?

Ardin Dallku: Do të jetë shumë vështirë sepse kemi konkurrentin kryesorë si ekipin Zorya-n, pastaj Olimpik Donetsk, Veres dhe Mariupol. Është konkurrencë e fortë për vend të tretë, por besoj e shpresoj se skuadra jonë do të jetë aty ku është, duke e parë edhe kolektivin që kemi me lojtarë jashtëzakonisht të mirë.

“Bota sot”: Pse pranvera do të jetë më e nxehtë dhe cilat janë synimet e Vorksla-s?

Ardin Dallku: Do të jetë një pranverë shumë e nxehtë sepse kemi ndeshje të vështira. Synimi ynë kryesorë është që të përfundojmë në vend të tretë dhe të sigurojmë një vend në garat evropiane.

“Bota sot”:  A prisni të jeni titullar i pakontestueshëm?

Ardin Dallku: Kisha me thënë me një fjalë: Do të japë gjithçka nga vetja. E imja është të luftojë në çdo cep të fushës për të arritur rezultate sa më të mira.

“Bota sot”: Sa jeni i kënaqur me përgatitjet dimërore e me miqësore?

Ardin Dallku: Jam shumë i kënaqur sepse e veçanta e kësaj është se kemi punuar shumë në mënyrën fizike. Sepse në Kampionatin e Ukrainës duhet goxha fizikë të kesh që të luash gjitha ndeshjet nga 90 minuta.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat