Sfida Juve-Napoli vazhdon në distancë, Milan luan në transfertë

Futboll

Sfida Juve-Napoli vazhdon në distancë, Milan luan në transfertë

Më: 4 shkurt 2018 Në ora: 07:04
Ilustrim

Ndeshjet e ditës së diel, të vlefshme për javën e 23-të të Serisë A, do të nisin në orën 12:30 me Verona-Roma. Vendasit luftojnë për mbijetesë dhe në javën e fundit të kampionatit kanë marrë një fitore befasuese 4-1 në fushën e Fiorentina-s. Roma, nga ana tjetër, nuk ka marrë akoma asnjë fitore në 2018-ën. Në fakt, fitorja e tyre e fundit në kampionat ka qenë 16 dhjetorin e kaluar. 3 barazime dhe 3 humbjet e marra në gjashtë ndeshjet e fundit të Serisë A kanë bërë që Roma të kalojë nga favorite për titullin në një ekip që lufton për një vend në Europa League. Gjithsesi, Verona nuk fiton ndaj Roma-s që nga tetori i 1996-ës, plot 14 ndeshje.

Juventus-Sassuolo Juventus do të zbresë në fushë, në orën 15:00, dhe do të presë në shtëpi ekipin e Sassuolo-s, që nuk fiton një ndeshje të Serisë A që nga dhjetori i kaluar, kur ka mundur 1-0 Inter-in në shtëpi. Skuadra e Allegri-t, që është në garë për të realizuar “Tripletën” në këtë sezon, nuk mund t’i lejojë vetes asnjë gabim, duke parë se Napoli, që kryeson kampionatin me 57 pikë, do të ndeshet në mbrëmje me Beneventon e vendit të fundit. Për sa i takon përballjeve të drejtpërdrejta mes këtyre dy skuadrave, Juventus ka fituar katër ndeshjet e fundit të kampionatit që ka luajtur në shtëpi kundër Sassuolo-s me rezultatin e përgjithshëm 9-1.

Udinese-Milan Një tjetër ndeshje interesante e orës 15:00 do të jetë ajo që do të luhet në Friuli mes Udinese dhe Milan. Një takim ky që do të jetë shumë i rëndësishëm për të dy skuadrat, të cilat luftojnë për një vend në Europë. Në fakt, këto dy ekipe ndahen vetëm nga dy pikë në renditje. Bardhezinjtë kanë fituar katër nga pesë ndeshjet e fundit të luajtura në shtëpi kundër kuqezinjve në kampionat. Milanezët, gjithsesi, kanë marrë 37 fitore në 86 ndeshjet e zhvilluara kundër Udinese-s, me këta të fundit që kanë fituar 16 takime. Asnjë nga 40 ndeshjet e fundit të luajtura nga friulanët në të gjitha kompeticionet nuk është mbyllur në barazim 0-0.

Benevento-Napoli Në mbrëmje do të jetë radha e kryesuesve të Serisë A, të cilët do të luajnë në fushën e Benevento-s së vendit të fundit. Vendasit janë 50 pikë larg ekipit të Sarri-t dhe janë mundur 6-0 në ndeshjen e luajtur në fazën e parë mes këtyre dy ekipeve. Verdhekuqtë kanë realizuar numrin më të pakët të golave në kampionat (13) dhe kanë pësuar më shumë se çdo ekip tjetër (49). Për më tepër, ata mbajnë vendin e fundit në çdo kategori të mundshme. Ndërkohë, Napoli nuk ka pësuar asnjë humbje në 24 ndeshjet e fundit të kampionatit që ka luajtur në transfertë dhe ka pësuar vetëm një gol në pesë ndeshjet e fundit që ka luajtur larg shtëpisë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat