Inter-Crotone, zikaltrit duan një fitore për të larguar krizën

Futboll

Inter-Crotone, zikaltrit duan një fitore për të larguar krizën

Më: 3 shkurt 2018 Në ora: 07:52
Ilustrim

Një Inter në vështirësi do të presë Crotone-n mbrëmjen e së shtunës, në një ndeshje që do të jetë e vlefshme për javën e 23-të të kampionatit italian. Ai që nisi si një sezon shumë shpresëdhënës, rrezikon të kthehet në një makth për zikaltrit. Pas një barazimi të mirë 0-0 të marrë 9 dhjetorin e kaluar kundër Juventus, Inter ishte në vendin e parë të Serisë A. Gjithçka ka shkuar keq pas asaj sfide, me zikaltrit që janë në vendin e katërt të renditjes aktualisht.

Përballë tyre do të jetë Crotone, një skuadër që arritur të bënte mrekullinë sezonin e kaluar, duke siguruar mbijetesën. Një arritje kjo që duan ta përsërisin edhe në këtë sezon. Pas disa javëve të kaluara në vendet e fundit të renditje, kuqeblutë pozicionohen në vendin e 17-të tani, dy pikë larg zonës së rënies nga kategoria. Ndërkohë, lojtarët e Luciano Spalletti-t duket se kanë humbur besimin në vete dhe janë në kërkim të një fitoreje me çdo kusht.

Ata kanë arritur të marrin vetëm dy pikë dhe të shënojnë vetëm dy gola në tri ndeshjet e fundit të kampionatit që kanë luajtur në shtëpi. Lajmi i mirë për milanezët është se Crotone ka pasur shumë vështirë në ndeshjet e kampionatit që ka luajtur në transfertë. Vetëm Spal dhe Benevento kanë marrë më pak pikë se Crotone (7) në ndeshjet e luajtura larg shtëpisë. Inter, nga ana tjetër, nuk fiton në kampionat që nga 3 dhjetori i kaluar.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat