Levante dhe Sadiku kërcënojnë Real Madrid

Futboll

Levante dhe Sadiku kërcënojnë Real Madrid

Më: 3 shkurt 2018 Në ora: 07:02
Ilustrim

Një Levante në vështirësi do të presë Real Madrid në javën e 22-të të kampionatit spanjoll me synimin për t’u bërë ekipi i pestë që mposht Real Madrid në këtë sezon të La Liga-s. Rikthimi në kategorinë kryesore të futbollit spanjoll nuk ka qenë aspak i mirë për vendasit. Ata, në fakt, mbajnë vendin e gjashtëmbëdhjetë në renditje, vetëm dy pikë larg zonës së rënies nga kategoria dhe nuk kanë marrë asnjë fitore në nëntë ndeshjet e fundit të kampionati, duke grumbulluar vetëm 4 pikë nga këto takime (4 barazime, 5 humbje). Lojtarët e Juan Ramon Lopez do të paraqiten në takimin e sotëm pas barazimit 2-2 të marrë në minutat e fundit të ndeshjes së luajtur në fushën e Deportiva La Coruna fundjavën e kaluar.

Ndërkohë, për sa i takon Real Madrid, edhe pse kanë mbetur tre muaj e gjysmë deri në fundin e kampionatit, skuadra e Zidane ka dalë jashtë luftës për të mbrojtur titullin e fituar sezonin e kaluar. Madrilenët janë 19 pikë larg Barcelona-s kryesuese, por kanë një ndeshje më pak. Për këtë arsye, vëmendja e tyre është përqendruar te sigurimi i një vendi mes katër të parëve në renditje. Gjithsesi, “Los Blancos” duket se kanë gjetur rrugën e duhur në dy ndeshjet e fundit të kampionatit, në të cilat kanë realizuar 11 gola dhe kanë pësuar vetëm dy (7-1 kundër Deportivo-s dhe 4-1 kundër Valencia-s). Të shtunën në mbrëmje duhet të vijë edhe fitorja e tretë radhazi në La Liga, duke parë se Real ka fituar 9 nga 11 ndeshjet e fundit të kampionatit që ka luajtur në fushën e Levante (9 fitore, 1 barazim, 1 humbje), me humbjen e tyre të vetme që ka ardhur në shtatorin e 2011-ës.

Kërcënimi numër një i vendasve do të jetë Cristiano Ronaldo, i cili ka realizuar 14 gola (11 në La Liga) në 13 ndeshjet e luajtura kundër tyre në të gjitha kompeticionet. Një tjetër protagonist i këtij takimi pritet të jetë sulmuesi shqiptar Armando Sadiku, i cili është transferuar në merkaton e janarit te Levante. Një statistikë interesante është ajo që tregon se Levante është skuadra që ka regjistruar më shumë barazime në këtë sezon të La Liga-s, me 10 të tillë. Real Madrid, nga ana tjetër, është skuadra që ka bërë më shumë gjuajtje drejt portës, në këtë kampionat, por vetëm 146 prej këtyre tentativave kanë përfunduar në kuadrat.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat