Ruzhdi Statovci u rizgjodh kryetar

Futboll

Ruzhdi Statovci u rizgjodh kryetar

Më: 29 janar 2018 Në ora: 11:25
Pamje nga kuvendi

Nga 35 delegatë të zgjedhur nga 10 klube shqiptare në Gjermani, 29 morën pjesë në mbledhjen e Kuvendit zgjedhor të Federatës së Futbollit Shqiptar në Gjermani (FFSHGJ), që u mbajt të dielën në Frankfurt am Main.

Para fillimit të tubimit me një minutë heshtje u nderua Jonuz Musliu, kryetari i Kuvendit komunal të Bujanocit, kryetari i Këshillit Nacional shqiptar dhe lideri i LPD-së në Bujanoc, i cili disa herë ishte i pranishëm në aktivitetet e FFSHGJ-së.

Në vazhdim delegatët aprovuan ndryshimet e parapara në Statutin e kësaj organizate sportive si dhe aprovuan Rregullorën e punës së Kuvendit.

Delegatët pjesëmarrës në këtë Kuvend ishin: Enver Muzliukaj, Xhevdet Pajazitaj, Afrim Osmanaj e Mentor Zejnaj (Drita Kosova Kornwestheim), Shaqir Zeqiri e Lulzim Maliqi (Kosova München), Ruzhdi Statovci, Shaban Bitiqi, Faton Krasniqi e Ajredin Mazllomaj (Kosova Frankfurt), Bekim Beqiri, Mustafë Bellaina, Adem Krasniqi e Rrahim Beqiri (Kastrioti Stukenbrock), Riza Aliu, Shaip Mushkolaj e Musa Leci (Kosova Bernhausen), Isuf Gashi, Afrim Gervalla e Rasim Jasiqi (Bardhosh Gervalla Ludwigsburg, Lulzim Morina, Abedin Likaj e Ismail Ilazi (Alba Augsburg), Kushtrim Hajrizi e Vullnet Ahmeti (Albania Mainz-Kastel), Haki Qallakaj e Jeton Gashi (Besa Gießen), Rexhep Potoku (nga Shoqata e gjyqtarëve) dhe Miftar Dragidella (gazetarët sportivë). Munguan Mahir Gurgula e Sadik Murseli (Liria Berlin). Nga Kryesia e vjetër ishte vetëm Arben Berisha, kurse punimet e Kuvendit i përcolli edhe Qani Rexhepi, redaktor i Radio Drita Kosova në Stuttgart.

Në raportin e punës së kaluar 4-vjeçare u tha se Kryesia e Federatës së Futbollit Shqiptar në Gjermani e zgjedhur në Kuvendin e saj të mbajtur në vitin 2014 në Offenbach, ka punuar me përkushtim të madh në realizimin e detyrave të besuara dhe të gjitha atyre detyrave që parashihen me Statutin e Federatës së Futbollit Shqiptar në Gjermani.

Image

Gjatë kësaj periudhe Kryesia e FFSHGJ përbëhej nga këta 11 anëtarë: Ruzhdi Statovci, kryetar, Enver Muzliukaj, nënkryetar, Mustafë Bellaina, Arben Berisha,Sadik Murseli, Ambroz Gegaj, Lulzim Maliqi, Lulzim Morina, Adem Makolli, Riza Bytyqi dhe Ekrem Jupolli, anëtarë e Miftar Dragidella, menaxher.

Kjo kryesi me mjaft sukses ka organizuar për çdo vit garën për Kupën e Kosovës në Gjermani duke tubuar klubet shqiptare që veprojnë në Gjermani. Duke marrë parasysh gjendjen e vështirë materiale të klubeve tona, të cilat mëzi i përballojnë shpenzimet për të garuar në ligat e ndryshme gjermane, konsiderojmë se pjesëmarrja e tyre në garën për Kupën e Kosovës në Gjermani ka qenë e mirë.

Aktivitetet kryesore të FFSHGJ-së janë:

1.Gara për Kupën e Kosovës në Gjermani

2.Shkuarja e skuadrës fituese në Kosovë (më vonë edhe në Zvicër)

3.Zhvillimi i ndeshjeve miqësore

4.Shpallja e sportistëve më të mirë të vitit

Gara për Kupën e Kosovës pos që ka karakter garues ajo po shërben edhe si urë afrimi ku të rinjtë shqiptarë kanë rastin të takojnë shokët e tyre nga qytete të ndryshme të Gjermanisë dhe të krijojnë edhe miqësi të reja.

Kryesia e FFSHGJ për çdo vit organizon garën për Kupën e Kosovës në Gjermani. Gjatë katër viteve të fundit kjo garë u mbajt në: Offenbach (2014), Stukenbrock (2015), Kornwestheim (2016) dhe München(2017) .

Viteve të fundit në garën tonë po marrin pjesë përfaqësues të shtetit tonë. Në garën për Kupën në vitin 2014 në mesin tonë ishte Ministri i Diasporës, Z. Ibrahim Makolli. Në ndeshjen e supërkupës SC Drita Kosova - FC Prishtina Bern, në Kornwestheim ishte i pranishëm ministri i Diasporës, Valon Murati, konsujt Besnik Miftaraj e Arjan Kashtanjeva, në garën për kupë në vitin 2016 në Kornwestheim ishte Astrit Zemaj, zëvendësambasador, në ndeshje FFSHGJ – FC Kosova Frankfurt ishte i pranishëm Sadik Makolli, zëvendëskonsull në Frankfurt, kurse në çdo garë tonën ishin prezentë edhe përfaqësues të Ministrisë së Diasporës si Avdyl Lipoveci, Elis Badalli, Afrim Deliu e Ramadan Mramori si dhe krerët më të lartë të FFK-së: Fadil Vokrri, Agim Ademi, i ndjeri Agim Maloku, Vjollca Krasniqi etj.

Për dallim nga vitet tjera, në vitin 2017 në aktivitetet e FFSHGJ-së nuk mori pjesë askush nga përfasësuesit e përfaqësive diplomatike të Kosovës, porse mori pjesë konsulli i përgjithshëm i Republikës së Shqipërisë në München, Arten Hanku.

Në vitin 2014 në Offenbach morën pjesë 11 ekipe, në vitin 2015 në Stukenbrock 12, në vitin 2016 në Kornwestheim 11 ekipe dhe në vitin 2017 në München 8. Numri më i madh i skuadrave pjesëmarrëse në garën për Kupën e Kosovës në Gjermani mbetet ai nga viti 2008 në Stukenbrock, kur ishin 19 ekipe.

Skuadrat fituese të Kupës së Kosovës në Gjermani nga viti 2015 për çdo vit zhvillojnë ndeshjen për supërkupën e diasporës me ekipin fitues nga Zvicra. Në të tri këto ndeshjen FFSHGJ-në e prezantoi SC Drita Kosova Kornwestheim dhe njëherë ia doli të shpallet fituese (viti 2016) dhe të udhëtojë në Kosovë për të zhvilluar ndeshjen për supërkupën Kosovë – Diasporë, kundër KF Prishtina.

Gjatë katër garave të fundit për Kupën e Kosovës në Gjermani fitues të këtij titulli ishin:

Në vitin 2014 – FC Kosova München, në vitin 2015 – SC Drita Kosova Kornwestheim, në vitin 2016 – SC Drita Kosova Kornwestheim, në vitin 2017 – SC Drita Kosova Kornwestheim. Kështu gjatë këtij mandati në Kosovë qëndruan Kosova München (tetor 2014) që në Skenderaj u takua me KF Feronikeli, duke shënuar fitoren e parë prej se kjo garë ekziston, dhe njëherë SC Drita Kosova Kornwestheim (tetor 2016), ku u mund nga KF Prishtina.

Pos zhvillimit të ndeshjeve, futbollistë e udhëheqës të klubeve që ishin në Kosovë së bashku me përfaqësuesit e Federatës sonë vizituan institucionet e Kosovës duke filluar nga kryetari i Kuvendit të Kosovës, Minsitria e Diasporës, Ministria për kulturë, rini e sport, FFK-ja, Memoriali në Prekaz, Varri i presidentit Rugova e shumë shtëpi informative duke njoftuar opinionin e atjeshëm mbi ekzistimin tonë dhe veprimtarinë tonë të suksesshme.

Pos këtyre Kryesia e tashme e Federatës së Futbollit Shqiptar në Gjermani gjeti edhe mënyra të tjera që të punojë me futbollistë dhe me skuadrat që janë anëtare të federatës. U zhvilluan disa ndeshje miqësore.

Në periudhën e kaluar katërvjeçare u zhvilluan tri ndeshje miqësore. Me 31.01. 2015 në Bernhausen Seleksioni i FFSHGJ u takua me Seleksionin e klubeve shqiptare nga Zvicra. Më 21.01. 2017 kundër FC Kosova Frankfurt, kurse javën që shkoi, më 20.01.2018, këtu në Frankfurt u takuam me seleksionin e shqiptarëve nga Holanda. Të gjitha këto ndeshje u mbyllen me fitore të seleksionit tonë.

Kryesia e Federatës së Futbollit Shqiptar në Gjermani organizon solemnitetin e rastit ku shpall futbollistët më të mirë të vitit dhe individët tjerë që kanë kontribuar në zhvillimin dhe përparimin e futbollit shqiptar në Gjermani e diasporë.

Si zakonisht epiteti i ekipit më të mirë të vitit i ka takuar ekipit fitues të Kupës së Kosovës në Gjermani, prej të cilit ekip ka qenë edhe lojtari më i mirë i vitit. Kjo do të thotë se në katër vitet e fundit epiteti i më të mirit i takoi FC Kosova München 1 herë dhe SC Drita Kosova Kornwestheim 2 herë.

Aktivitet mjaft interesant është edhe zhvillimi i ndeshjeve miqësore në Kosovë gjatë muajve të verës. Ky aktivitet duhet thënë se është inicuar nga menaxheri ynë dhe vetëm falë angazhimit të tij është arritur të organizohen tri ndeshje në Kosovë në kuadër të „Ditëve të Diasporës“ , ku një ndihmë të madhe e ka dhënë SC Drita Kosova Kornwestheim.

Kështu vitin e parë seleksioni ynë zhvilloi ndeshje në Gjilan kundër ekipit të FSK-së dhe shënoi fitore 2:1 vitin e dytë luajtëm kundër KF Dukagjini të Klinës ku pësuam humbje me rezultat 0:3 dhe verën që shkoi luajtëm sërish në Gjilan kundër ekipit të FSK-së, kësaj radhe baras 3:3.

Derisa mikpritja në Gjilan ishte shumë vëllazërore, ajo në Klinë ishte shumë nënçmuese.

Pikë e dobët e punës sonë ka mbetur përfshirja e sa më shumë skuadrave në aktivitetin tonë kryesor – garën për Kupën e Kosovës në Gjermani, për çka kryesia e re duhet të angazhohet më shumë. Në këtë çështje disa anëtarë të Kryesisë së FFSHGJ-së nuk janë angazhuar sa duhet dhe se për periudhën e ardhshme është mirë të analizohet puna e secilit dhe në Kryesinë e FFSHGJ-së të zgjedhen individët që kanë mundësi të sjellin rezultate. – u tha ndër të tjera në raportin e punës që e paraqiti menaxheri Miftar Dragidella, duke falënderuar në fund të gjitha klubet që e kanë përkrahur FFSHGJ-në gjatë këtyre katër vjetëve dhe poashtu edhe të gjithë futbollistët dhe aktivistët që vullnetarisht po punojnë në klubet tona të futbollit.

Ndërkaq duke u paraqitur raporti i arkës për periudhën 4-vjeçare u tha se nga minusi që ishte në fund të dhjetorit 2013 prej 1.880,00 eurove, secili vit u mbyll pozitivisht, përkundër vështirësive që u prezantuan në sigurimin e mjeteve për mbajtjen e aktiviteteve të parapara.

Pas aprovimit të dy raporteve u vazhdua më zgjedhjen e kryetarit. Riza Aliu propozoi që kryetar të zgjedhet Ruzdhi Statovci, i cili edhe ishte i nominuar i Kryesisë. Edhe pas insistimeve të kryesuesit të Kuvendit, Enver Muzliukajt, nuk doli asnjë propozim tjetër për të kandiduar për kryetar të FFSHGJ-së. Pasi ishte vetëm një kandidat Kuvendi vendosi që votimi të bëhet i hapur dhe kështu për Ruzhdi Statovcin votuan të gjithë delegatët e pranishëm, duke mos qenë asnjë votë kundër.

Në vazhdim me ndryshimet e reja në statut iu është mundësuar klubeve që secili klub anëtar i FFSHGJ-së të zgjedh nga një anëtar të vetin në Kryesi të FFSHGJ-së, kurse 2 anëtarë tjerë që mund të jenë edhe jashtë listës së delegatëve, propozohen nga kryetari dhe për këtë ai kërkoi kohë për konsullta të mëtejme, gjë që u aprovua. Poashtu edhe FC Liria Berlin nuk është përcaktuar për kandidatin e vet, kurse siç njoftoi kryetari i rizgjedhur, menaxher i FFSHGJ-së vazhdon të jetë Miftar Dragidella.

Kështu anëtarë të Kryesisë së FFSHGJ-së u zgjodhen: Shaip Mushkolaj (Bernhausen), Isuf Gashi (Ludwigsburg), Mustafë Bellaina (Stukenbrock), Faton Krasniqi (Frankfurt), Kushtrim Hajrizi (Mainz-Kastel), Enver Muzliukaj (Kornwestheim), Haki Qallakaj (Gießen), Lulzim Morina (Augsburg) e Shaqir Zeqiri (München).

Në këtë tubim kryetari Ruzhdi Statovci, i dorëzoi Lulzim Maliqit nga FC Kosova München mirënjohjen dhe kupën për shpalljen punëtori më i mirë sportiv i vitit 2017, pasi që ai nuk ishte i pranishëm në manifestimin e organizuar për shpalljen e lauratëve të vitit.

Në fund të mbledhjes me iniciativen e përfaqësuesit të FC Besa Gießen, Haki Qallakaj, nga të pranishmit u grumbulluan mjete në shumë prej 730,00 euro për të ndihmuar familjen e të riut Rinor Rugova, nga komuna e Istogut, që vdiq dy ditë më parë në Gießen, pasi që arrdhja e tij në Gjermani për shërim nuk pati sukses.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat