Ish futbollisti i Kosovës dhe trajneri tregon se si urinonin 70 veta në një dhomë!

Futboll

Ish futbollisti i Kosovës dhe trajneri tregon se si urinonin 70 veta në një dhomë!

Nga: Kemajl Goca Më: 2 janar 2018 Në ora: 10:45
Qerim Shaqiri

Ish futbollisti ferizajas, Qerim Shaqiri, aktualisht trajner i Visionit (femrat), nuk e harron dajakun nga regjimi kriminal serb dhe ish-jugosllav i asaj kohe dhe që e mbajtën disa ditë në vetmi. “Shtatë ditë kam qenë në burgun hetues në Prishtinë, sepse në atë dhomë 4 me 2 metra, ishim 70 veta.  Të gjithë flinim në një krahë dhe në atë krahë (të djathtë) edhe u zgjonim, se nuk kishe mundësi as të rrotullohesh. Në dhomë ka qenë errësirë, me gjak dhe urinën e kryenim aty që të gjithë. Gjithçka ishte e tmerrshme”, tregon Shaqiri për gazetën kombëtare “Bota sot”.

Edhe pasi u lirua nga burgu nuk i shkuan gjërat mirë. “Pasi më liruan nga burgu, me kanë distancuar prej klubit, mirëpo në vitet e 90-ta atë që më përzunë nga klubi edhe me kthyen. Në vitet e 90-ta gjërat morën frymë, dihet se në vitin 1991 veç i ndamë rrugët në të gjitha fushat me regjimin serbosllav. Pra, garat u organizuan në kuadër të Republikës së Kosovës”, tregon ai. “Jam pjesë e gjeneratës së parë të pavarësimit, pikërisht futbollit. Ismajl Gorani, Abdurrahim Islami, Xhemail Xheladini, Naim Sojeva, Ismet Shabani etj. janë të parët e pavarësimit për komunën e Ferizajt”, thotë Shaqiri.

Ai është i shqetësuar, sepse si në kohën e komunizmit po ashtu edhe në të sotmen, është i papunë dhe i papërshtatshëm për pushtetin! “Me brengos shumë se pas luftës nuk merret në konsideratë kontributi që kemi dhënë. Na quajnë komunistë, por si mund të jemi komunistë, kur ne ishim dalë në demonstrata me thye kohën e komunizmit. Jam pjesëmarrës në demonstratat e vitit 1981 e 82-të, por fatmirësisht nuk më kanë burgos, sepse nuk arritën të më identifikojnë. Në punë kurrë s’kam qenë, sepse edhe në kohën e komunizmit kam qenë i padëshiruar, po ashtu edhe në kohën e sistemit të sotëm”, rrëfehet Shaqiri.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat