Askush nuk e do Spanjën në grup

Futboll

Askush nuk e do Spanjën në grup

Më: 1 dhjetor 2017 Në ora: 11:33
Bierhoff

Bota do të ndalet të premten për një nga evenimentet më prestigjioze dhe më të pritur të botës së futbollit: shorti i fazës me grupe të Kupës së Botës. 32 ekipet finaliste do të zbulojnë nëse fati do të jetë në favorin e tyre, apo kundër. Tetë grupe me nga katër skuadra do të përzgjidhen nga katër vazo. Rusia, vendi organizator, do të jetë në Grupin A, më pas do të përcaktohen shtatë koka e tjera të grupeve dhe gjithçka do të jetë gati për momentin më emocionues. Më poshtë janë marrë tetë skuadrat që jepen si favorite për të triumfuar në Rusi dhe është bërë një parashikim i grupeve më të këqija të mundshme (ose më të fortë) që mund të dalin nga ky short, raporton telesport.

Gjermania

Spanja do të jetë makthi i shortit për çdo kokë grupi. Edhe Gjermania, që jepet si favorite për ta fituar trofeun, nuk do të donte të përballej me ta. Kampionët në fuqi nuk e kanë problem të luajnë kundër skuadrave që mbyllen në mbrojtje, siç e tregojnë edhe 43 golat e realizuar kundër 5 ekipeve me të cilat ato janë ndeshur në fazën kualifikuese. Por një ekip me dy sulmues të fortë në krahë mund të shfrytëzojnë në maksimum problemet që gjermanët kanë në dy krahët e mbrojtjes. Senegali i ka dy lojtarë të tillë, me Sadio Mane dhe Balde Keita. Ky grup kompletohet me Japoninë, skuadra më e fortë e Azisë.

 

Brazili

Si Gjermania, edhe Brazili nuk e ka problem të ndeshet me skuadra që luajnë me kundërsulme. Ata kanë shumë lojtarë cilësorë në përbërje dhe një prej sulmuesve më të mirë në qarkullim, si Neymar. Kjo do të thotë se pesë herë kampionët e botës mund të ndihen më të kërcënuar nga ato ekipe që kanë disa lojtarë cilësorë, ekip që kanë versionin e tyre të Philippe Coutinho dhe Neymar. Spanja, siç u tha më sipër, është rreziku numër një i vazos së dytë dhe as një kombëtare si “Seleçao” nuk do të donte të përballej me David Silva, Isco dhe Thiago Alcantara. Danimarka është rreziku i vazos së tretë, ndërsa në vazon e katërt është Nigeria ajo që ka sulmin më të frikshëm.

Francë

Kompanitë e basteve e shikojnë Francën pak më favorite se Spanja në Kupën e Botës, por mund të thuhet se “Furitë e Kuqe” janë një ekip më i konsoliduar dhe mund të mposhtë “Les Bleus”. Për më tepër, faza kualifikuese e francezëve ka treguar se ata mund të vihen në vështirësi nga kombëtaret e vogla. Barazimet pa gola kundër Luksemburg dhe Bjellorusisë kanë ngritur shumë dyshime për ekipin e Deschamps. Gjithashtu, ata u mundën 2-1 nga Suedia dhe mposhtën Bullgarinë 1-0 falë një goli të Blaise Matuidi. Gjëja më e mirë për “Gjelat” mund të jetë që të jenë pjesë e “Grupit të Vdekjes”; do t’i motivonte ata që në fillim. Rreziku më i madh? Spanja plus dy skuadra që ata, në letër, duhet t’i mundin me lehtësi. Një nga këto ekipe mund të jetë Maroku, një kombëtare që pëson pak gola dhe që mund të ketë një motivim ekstra kundër Francës: pjesa më e madhe e lojtarëve marokenë kanë lindur në Francë dhe mund të kishin luajtur për këtë kombëtare, nëse do të ishin konsideruar të përshtatshëm.

Spanja

Nga pozicioni i tyre në vazon e dytë, Spanja mund të jetë në një grup me çdo ekip që ndodhet në vazon e parë. Kushdo nga kombëtaret e vazos së parë që do të përzgjidhet në një grup me spanjollët do të konsiderohet e pafat. “Furitë e Kuqe” nuk do të shqetësohen shumë nëse shorti i vë përballë Polonisë ose Rusisë, dy ekipet më të dobëta të vazos së parë. Edhe Belgjika është një pengesë e vështirë për t’u kaluar, të paktën në letër, por në fushë gjërat ndryshojnë. Përzgjedhja e një ekipi europian nga vazo e parë, do të shpëtonte Danimarkën, Suedinë dhe Serbinë nga rreziku spanjoll. Kështu, le të themi se ekipi i vazos së parë që do të ndeshet me Spanjën do të jetë Argjentina e Leo Messi-t, atëherë ata mund të peshkojnë Egjiptin e Mohamed Salah nga vazo e tretë dhe Serbinë nga vazo e katërt. Ky do të ishte skenari më i rrezikshëm i mundshëm për skuadrën e Julen Loptegui.

Argjentina

Spanja do të ishte makthi më i madh për Argjentinën nga vazon e dytë. Për sa i takon të tjerave, skuadra e Jorge Sampaoli-t është më e mirë se çdo ekip tjetër në vazon e tretë dhe të katërt. Me një lojtar si Messi, bardhekaltrit nuk duhet të kenë probleme për të hapur mbrojtjet e mbyllura të Suedisë dhe Islandës. Gjëja që mund t’i vërë ata në vështirësi është një ekip që zhvillon një lojë të shpejtë nga krahët. Mbrojtësi e krahut të “Albiceleste” nuk bindin dhe një skuadër si Senegal, me Mane dhe Keita, mund t’i shfrytëzojë këto mangësi. Në vazon e katërt, rreziku më i madh përfaqësohet nga Serbia.

Belgjikë

Belgjika është e mbushur me talente, por kur bëhet fjalë për t’i përshtatur këto talente në kombëtare, trajneri Roberto Martinez ka bërë pak më mirë se paraardhësi i tij Marc Wilmots. Edhe Kevin de Bruyne është ankuar për taktikën e përdorur dhe ai nuk ka qenë i vemti që është shqetësuar pas barazimit 3-3 që Belgjika ka marrë në miqësoren e luajtur kundër Meksikës. Loja e treguar nga “El Tri” në atë takim do të rrisë shqetësimin e tifozëve belgë, nëse këto dy ekipe do të jenë në të njëjtin grup, por Spanja do të ishte problemi më i madh i vazos së dytë. Begjika ka patur një ecuri të ngjashme me atë të Gjermanisë në fazën kualifikuese, kështu që ekipe si Maroku dhe Irani nuk do të rezistonin dot për 90 minuta kundër tyre. Përkundrazi, skuadra si Senegali do t’i vinin në provë ata për shkak të forcës fizike dhe shpejtësisë. Ashtu si Japonia, që do të kërkojë të rivalizojë belgët në mbajtjen e topit.

Anglia

Anglia konsiderohet, nga kompanitë e basteve, si një nga skuadrat më të forta që do të marrin pjesë në Kupën e Botës dhe një nga favoritet për ta fituar kompeticionin. Cilat janë ekipet ndaj të cilëve “Tre Luanët” urrejnë të luajnë? Skuadra kokëforta që parkojnë autobusin para portës. Për këtë arsye parashikimi për shortin e anglezëve është mirë të bëhet duke e nisur nga vazo e katërt. Për vite me radhë, Anglia ka pasur mangësi të theksuara në ide dhe në krijimin e një loje bindëse. Kjo do të thotë se skuadra si Maroku dhe Islanda do të ishin një kërcënim për ata. Të parët, në fakt, i eliminuan nga Euro 2016, ndërsa të dytët duken se kanë karakteristikat e duhura për të vënë në vështirësi Harry Kane me shokë, duke parë se nuk kanë pësuar asnjë gol në fazën kualifikuese. Përzgjedhja e Islandës përjashton çdo kombëtare tjetër europiane dhe kjo do të thoshte se nga vazo e parë mund të dilte vetëm Brazili për Anglinë.

Portugal

Nuk janë të shumta skuadrat që mund të frikësojnë Portuigalinë. Me një lider dhe fitues si Cristiano Ronaldo dhe me një mesfushë solide, portugezët mund të kalojnë çdo pengesë. Problemi i vetëm që mund të kenë ata është në mbrojtje; qendërmbrojtësit e tyre nuk janë të rinj, por edhe dy mbrojtësit e krahut nuk bindin. Një skuadër me një sulm cilësor mund t’i krijojë shumë probleme Portugalisë. Një derbi Iberik me Spanjën do të ishte shumë tërheqës, teksa Meksika, Danimarka dhe Nigeria do të plotësonin grupin, duke parë se janë tre kombëtaret që mund t’i krijojnë më shumë probleme Ronaldo-s me shokë për arsyet e përmendura më sipër.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat