Heynckes: E patëm pak të vështirë

Futboll

Heynckes: E patëm pak të vështirë

Më: 19 nëntor 2017 Në ora: 16:02
Heynckes

Jupp Heynckes pranon se ndihet krenar që është trajneri i parë që ka arritur 500 fitore në Bundesliga. Kjo shifër mbresëlënëse erdhi pas triumfit 3:0 të Bayern Munihut ndaj Augsburg-ut në javën e 12-të të kampionatit gjerman. Dy gola nga Robert Lewandowski dhe një nga Arturo Vidal i dhanë tri pikët në “Allianz Arena” bavarezëve që tani shkëputen me + 6 në krye të tabelës nga vendi i dytë Leipzig. Ky i fundit barazoi 2:2 me Bayer Leverkusen të shtunën.

Kjo fitore është e 500-ta për trajnerin Heynckes në 1016 ndeshje të luajtura në Bundeliga në drejtimin e skuadrave të ndryshme. “Nuk mund të them se nuk është asgjë për mua, do të ishte e gabuar. Është një numër shumë i bukur, por isha i përqendruar tek loja dhe kundërshtari. Ju nuk mendoni për arritje si këto kur keni një ndeshje për të luajtur”, u shpreh trajneri gjerman duke komentuar edhe fitoren ndaj Augsburg-ut: “E patëm pak të vështirë të dilnim në lojën tonë, sepse kundërshtari po luante shumë i ngjeshur, ndaj nëse nuk do të kishim luajtur me nivel dhe kujdes atëherë ndoshta nuk do të kishim fituar. Pas 25 minutave të para performanca jonë u përmirësua”, tha Heynckes.

Vidal ishte njeriu që zhbllokoi shifrat e takimit në minutën e 31′-të si dhe i dhuroi asist Lewandowski-t në golin e parë të polakut. “Jam i kënaqur me Vidal-in çdo ditë, ashtu si me lojtarët e tjerë. E njoh Arturo-n shumë mirë, kemi qenë bashkë te Leverkusen-i për dy sezone. E di se çfarë është në gjendje të bëjë. Kur erdha këtu nuk isha i kënaqur me performancën e tij dhe këtë ia thashë shumë qartë. Që atëherë ka punuar me shumë intensitet dhe tani është duke bërë shumë mirë”, përfundoi Heynckes, njeriu që fitoi tre trofetë me Bayern Munich-un në sezonin 2012-2013, dhe që rimori drejtimin e bazarezeve pas shkarkimit të Carlo Ancelotti-t në fund të shtatorit. Përveç Bayern Munih, në Bundesliga Heynckes ka drejtuar edhe Borussia Monchengladbach, Eintracht Frankfurt, Schalke 04, Bayer Leverkusen.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat