Kosova pretendon t’ia prishë llogaritë Ukrainës

Futboll

Kosova pretendon t’ia prishë llogaritë Ukrainës

Nga: Kemajl Goca Më: 5 tetor 2017 Në ora: 19:21
Pamje nga një stërvitje e Kosovës

Kombëtarja e Kosovës përballet me një kundërshtar jashtëzakonisht të fortë, siç është Ukraina, në ndeshjen e xhiros së nëntë (e parafundit) të grupit I të kualifikimeve për Kampionatin Botëror – “Rusia 2018” në futboll. Atmosfera është e mirë në kampin e kombëtares së Kosovës, e cila synon të dalë e pamposhtur dhe në fakt t’ia prishë llogaritë edhe ukrainasve. Nesër në orën 20.45, në stadiumin “Loro Boriçi” në Shkodër, pritet atmosferë e mirë dhe tifozët “Dardanët” t’i japin edhe kurajë djelmoshave tanë drejt fitores së parë. Kosova deri me tash ka vetëm një barazim dhe shtatë humbje, por që shpreson në rezultat pozitiv kundër Ukrainës. Përzgjedhësi i Ukrainës, Andriy Shevchenko, e ka parasysh se do të ketë një kundërshtar të papërshtatshëm, Kosovën, por pretendon tri pikë. Në ndeshjen e parë që u zhvillua vitin e kaluar (me 9 tetor) në terren neutral në Krakow të Polonisë, Ukraina kishte fituar me rezultat 3:0.  

Përzgjedhësi i Kosovës, Albert Bunjaki, pa dyshim se do të ketë telashe, sepse ka disa mungesa për shkak të lëndimeve, si Benjamin Kololli, Herolind Shala, Arbër Zeneli e Enis Alushi, si dhe Bernard Berisha e Valon Berisha do të mungojnë për shkak të kartonëve.  Është interesant së në grupin I është një lëmsh i madh se cilat nga skuadrat mund të kualifikohen direkt në Kampionatin Botëror, pasi që diferenca mes vendit të parë dhe të katërti nuk është më shumë se dy pikë. Kroacia kryeson me 16 pikë, sa ka edhe Islanda, ndërsa Turqia dhe Ukraina kanë nga 14 sosh. Kosova renditet në vend të fundit me vetëm një pikë të fituar apo ka 6 me pak se Finlanda që mban pozitën e pestë. 

(Tekstin e plotë mund ta lexoni të premten në publikimin e shtypur të gazetës kombëtare “Bota sot” në Kosovë)

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat