Janë ditë kritike për Partizanin

Futboll

Janë ditë kritike për Partizanin

Më: 26 shtator 2017 Në ora: 18:14
Idriz Batha

Janë ditë kritike për Partizanin, ende pa fitore dhe pa gol në këtë kampionat, ku disfata me Skënderbeun e ka bërë atmosferën edhe më të rëndë. Moment kritik dhe ai që vë fytyrën para kamerave është kapiteni i ri Idriz Batha, për ta nisur me një mesazh të qartë për tifozët.

“Dua ta filloj këtë konferencë për shtyp duke i kërkuar publikisht falje tifozëve tanë, pasi i kemi zhgënjyer me rezultatet e arritura në këto 3 ndeshje. Atyre i detyrohemi më shumë se kaq.”

Edhe pyetjet nuk janë të lehta, duke nisur nga ajo për zërat për ndasi brenda skuadrës mes senatorëve dhe lojtarëve të bashkuar këtë verë.

“Për sa i përket pyetjes tuaj lidhur me zërat që qarkullojnë se brenda në skuadër janë krijuar grupe, dua të them se kjo është një shpifje që bëhet ndaj Partizanit, në skuadër nuk ka grupe, është vetëm një grup ai për të mirën e Partizanit dhe kaq, nuk ka grupe mes lojtarëve të rinj e të vjetër por ka vetëm një ekip”,

Por cfarë nuk shkon te ky Partizan? Me disa vite eksperiencë në skuadrën e kuqe Batha mund ta japë një përgjigje.

“Të them të drejtën ekipi është, lojtarët janë, cilësia nuk mungon, por që nuk duhet bërë dramë, janë vetëm 3 ndeshje dhe ne duhet të vazhdojmë të shohim takimet e radhës. Ndodh që në momente të ndryshme të sezonit çdo ekip mund të kalojë edhe ngërçe të ndryshme, por po të marrim shembull shumë ekipe mjaft të njohura në Evropë i kalojnë këto momente. Nuk duhet ta ulim kokën janë në lojë edhe 33 ndeshe të tjera ndaj duhet të shohim përpara dhe mendoj se do të arrijmë atje ku duam të shkojmë”

Analizat për rezultatet e  këtij fillim kampionati janë të shumta, ajo e Bathës nuk e ndan përgjegjësinë.

“Përgjegjës për këtë situatë jemi të gjithë ne, lojtarët, stafi. Nuk mund të vesh gishtin tek individë dhe ti ngarkosh me përgjegjësi, jemi të gjithë fajtorë për këtë fillim negativ. Në këtë moment na kanë munguar rezultatet, pasi ekipi po stërvitet mirë, në skuadër ka harmoni dhe si trajneri ashtu edhe ne lojtarët kemi një bashkëpunim mjaft pozitiv, e them me bindje se rezultat do të vijnë.”

Një temë e rëndësishme është ajo e trajnerit, ku ndryshon Juliano nga Starova apo dhe Duro, me mesfushorin që evidenton kohën e nevojshme për përshtatjen, me kthesën që duhet të vijë menjëherë.

“E thashë edhe më parë, çdo trajner ka metodat e veta të punës dhe modul loje. Dua të them se edhe Iuliano po përshtatet me ne dhe me kampionatin dita ditës, gjithashtu edhe lojtarët që janë afruar. Kam shumë besim se që këtë javë do të bëjmë kthesën e duhur. Jam i bindur që ky Partizan do të shkojë drejt objektivave që kemi ne si skuadër.”

Ashtu si për golat e pësuar faji nuk mund ti vihet vetëm mbrojtjes, edhe për mungesën e golit përgjegjësia është e të gjithëve me Bathën që beson verbërisht te Cani e Sukaj.

“Futbolli ka mjaft të papritura, është i paparashikueshëm. Në ndeshjet e ardhshme sulmuesit mund të shpërthejnë dhe të gjejnë golat. Nuk mendoj se është faji i Çanit apo Sukajt, por e përmenda edhe më parë faji është i të gjithëve, të gjithë duhet të punomë më shumë për të arritur te goli”.

Mesazhi i fundit, ashtu si dhe i pari, është për ata, tifozët e kuq.

“Pa tifozët nuk mund të vazhdojmë përpara. Nuk ka më kohë për të qarë më pikët e lëna, tani duhet të mblidhemi të gjithë si një zinxhir bashkë lojtarë, drejtues, tifozë për të vazhduar përpara pasi jemi Partizani dhe duhet të shfaqemi siç ka bërë ndër vite ky emër i madh".

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat