Totti në shkollë

Futboll

Totti në shkollë

Më: 19 shtator 2017 Në ora: 17:41
Francesco Totti

Francesco Totti, prej dy muajsh ka filluar një karrierë të re, atë të drejtuesit te klubi i Romës duke qenë pjesë e sektorit teknik të klubit. Por dëshira e ish-sulmuesit të Romës dhe Italisë është që në një të ardhme jo shumë të largët, t’u kalojë dijet e tij për atë që ndodh në fushën e lojës të rinjve. Ndaj Toti është regjistruar në kursin UEFA B të federatës italiane për të marrë njohuritë kryesore që i duhen një trajneri për drejtimin në futbollin amator dhe kampionatet e të rinjve.

Sigurisht, kthimi në “shkollë”, nuk mund të kalonte pa një batutë nga ish-sulmuesi i cili është bërë i famshëm edhe me “barsoletat” që ka prodhuar duke qenë shpesh përfaqësuesi i denjë i stereotipit të futbollistit brilant në fushë, por jo edhe aq shumë kur bëhej fjalë për jetën jashtë saj.

“Më duhet të mësoj tani që u bëra 40 vjeç”, ishin fjalët e para me të cilat Totti është prezantuar para shokëve të tjerë të kursit, i shoqëruar me të qeshura. Fillimi i mbarë, gjysma e punës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat