Iku nga jeta edhe një ish-sportist i dalluar i Kosovës

Futboll

Iku nga jeta edhe një ish-sportist i dalluar i Kosovës

Më: 30 gusht 2017 Në ora: 14:33
Hajrush Latifi

Hajrush Latifi – ndër portierët e parë e të dalluar shqiptarë të Kosovës
Ishin vitet e para të 70-vjeteshit të shekullit të kaluar kur dëgjova për herë të parë për Hajrush Latifin. Duke pasur interesim të madh për futbollin dhe duke lexuar atëherë në gazetën „Rilindja“ përbërjet e ekipeve të Kosovës, nuk hasje shpesh në emra të futbollistëve shqiptarë që mbronin ngjyrat e klubeve me renome të Kosovës. Sidomos kjo ishte më e rrallë për portierë. Portierët shqiptarë në ekipet e mëdha të Kosovës numroheshin në gishterinj. Porse në përbërjen e kipit C. Zvezda të Gjilanit me binte në sy emri i portierit Latifi dhe përherë nga gazetarët e „Rilindjes“ vlerësohej më nota të larta. Pak më vonë ia mësova edhe emrin – ishte ai Hajrush Latifi, portieri standard i KF C. Zvezda të Gjilanit në vitet e 70-ta e 80-ta.
Vetëm kur të mendosh se ishte portier standard në ekipin e tij, ku jo vetëm C. Zvezda porse edhe ekipet tjera të Kosovës përbëheshin krejtësisht nga futbollistët serbë, duhet ta kuptosh se bëhet fjalë për një portier shumë cilësor. Bie fjala në atë kohë të rralla ishin klubet e futbollit në Kosovë që kishin portierë shqiptarë, hiq Esat Mehmetin, që ishte i afirmuar në mbarë ish-Jugosllavinë, pastaj diç më vonë Zhavellin e ndonjë tjetër shumë të rrallë, bile KF Prishtina nuk mbahet mend që në atë kohë ndonjëherë të kishte portier shqiptar.
Hajrushin pastaj edhe me mirë e njoftova në Gjermani. Ai ishte vendosur në rrethinën e Stuttgartit dhe përkundër largësisë (unë në Frankfurt) takimet në manifestime të ndryshme dhe në ndeshje të futbollit nuk ishin të rralla. Sa herë takoheshim bisedonim për futbollin e saj kohe në Kosovë. Evokonim kujtime të ëmbla por edhe të hidhëta. Hajrushi ishte i fjalës dhe i punës. Ai punoi në disa skuadra këtu në Gjermani si trajner i futbollit. Ishte trajner edhe në SC Drita Kosova Kornwestheim. Kudo që ishte la përshtypje të një punëtori të madh, të një njohësi të futbollit.
Me Hajrush Latifin mund të bisedoje shumë për futbollin. Ishte njeri i marrëveshjeve dhe i zgjidhjes së situatave. Ishte përkrahes i aktiviteteve të klubeve shqiptare të futbollit në Gjermani. Ishte gjithmonë në anën e FFSHGJ-së. Ishte i gatshëm të jepte kontributin e tij. Për këtë ndikuan edhe prijësit e SC Dita Kosova Kornwestheim në krye me Enver Muzliukajn dhe të FFSHGJ-së në krye me Ruzhdi Statovcin. Ai i çmonte dhe i respktonte organet legjitime si në futboll si në politikë. Thjesht, Ishte njeri me të cilin shumë lehtë mirreshe vesh.
Para dy viteve kur për herë të parë Seleksioni i FFSHGJ-së zhvilloi ndeshje në Gjilna kundër Seleksionit të Brigadës I të FSK-së, Hajrushi ishte aty. Sivjet me 3 gusht përseri u luajt kjo ndeshje dhe Hajrush Latifi kësaj radhe mungoi. Deri sa luhej kjo ndeshje unë mendoja për të. Mendoja se vetëm kur ta shoh duke ardhur të terreni i futbollit, së bashku me Naser Bunjakun, ngase ai ishte gjithmonë aty ku ishte futbolli. Porse pse nuk erdhi e kuptova nga letra që me shkroi i biri i tij Adri, po ashtu një portier i shkëlqyeshëm që mbrojti ngjyrat e SC Drita Kosova Kornwestheim, AKV Bardhosh Gervalla Ludwigsburg e klubeve të ndryshme gjermane.
Ai me shkroi kështu: „…. babai im, i ndjerë, kishte shumë respekt për ju. Ky ishe mesazhi i babit: Adri u bëra gati me shku me kqyr ndeshjen te FSK Gjilan por te kafiqi Pauza u ktheva se ishte shumë nxehët dhe kohë shumë e vështirë për të sëmuarë dhe pleq. Më mbeti merak shumë me u takuar me Miftar Dragidellën, por ja që s´u bë. Ndoshta herën tjetër se si duket kjo ndeshje futbollistke është bërë tradicionale.“ 
Para tri ditëve Hajrushi kaloi në amshim, për të mos u takuar më kurrë, por duke na lënë kujtime shumë të mira të cilat atë do ta bëjnë të paharrueshëm.
Pushofsh në paqe miku ynë i çmuar.
Ngushëllime familjarëve dhe komunitetit të futbollit në Gjilan, Kosovë e diasporë.
Qoftë i përjetshëm kujtimi për Hajrush Latifin, shkruan Miftar Dragidella, ish gjyqtar i futbollit dhe veprimtar i dalluar sportiv.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat