Shkëndija vëmendjen nga sfida me Milanin

Futboll

Shkëndija vëmendjen nga sfida me Milanin

Më: 15 gusht 2017 Në ora: 11:04
Ennur Totre

Pas startit të suksesshëm të sezonit të ri në LPFM dhe paraqitjes bindëse kundër Vardarit, futbollistët e Shkëndijës nga Tetova tani më kthejnë vëmendjen kah sfida e parë e play offit të UEFA Europa League përballë Milanit në San Siro. “Kuqezinjtë” të hënën u lanë të lirë nga trajneri Osmani, ndërsa të martën pas stërvitjes së mëngjesit ekipi udhëton drejt Milanos.

Me tre pikë nga ndeshja e parë e sezonit të ri garues 2017/2018 kur u mund 2:0 Vardari në Tetovë, skuadra tani më ka kthyer vëmendjen kah sfida historike me Milanin në San Siro. Paraqitja bindëse përballë rivalit nga Shkupi ka përmirësuar edhe ashtu atmosferën e shkëlqyeshme në skuadër që vjen si pasojë e një ecurie të bukur në UEFA Europa League. Ekipi për të dytin vit me rradhë gjendet në fazën e play offit, shkalla e fundit para grupeve. Për të hyrë aty Shkëndija ka para vetes pengesë shumë serioze, pasi përballet me 7 herë fituesin e Ligës së Kampionëve, Milanin.

“Prej kur shorti caktoi që kundërshtari ynë të jetë Milani është folur shumë për këto ndeshje dhe kjo është krejtë normale. Ne jemi të kënaqur që edhe një herë kemi mundur të dalim me paraqitje të bukura në Europë, duke arritur në play off. Tani për Milanin nuk duhet të harxhojmë fjalë. Të gjithë e njohin këtë skuadër dhe cilësinë e tyre, pa marrë parasysh se viteve të fundit nuk kanë qenë në nivelin e pritur. Për ne kjo është një sfidë e re, mundësi e madhe për tu përballur me një ekip të fortë kundër të cilëve do të dalim për të dhënë më të mirën nga vetja. Fundi do të tregojë nëse kjo do të jetë e mjaftueshme për të bërë befasinë e rradhës”, shprehet mesfushori i talentuar, Ennur Totre, i cili ishte ndër më të mirët në teren të shtunën kundër Vardarit. “Bëmë një ndeshje të madhe dhe ai duhet të jetë modeli si duhet të luajmë në çdo takim. Ishte me rëndësi të nisim me tre pikë, posaçërisht pasi bëhej fjalë për ndeshje derbi dhe jemi të kënaqur pasi demonstruam cilësi dhe kualitet përballë Vardarit që në fund rezultoi me fat për humbjen prej vetëm 2:0. Ne jemi futbollistë dhe bëjmë punën tonë, por kënaqësia është e madhe kur shikon aq njerëz të lumtur nga paraqitja e treguar. Kjo na bën të japim gjithçka nga vetja dhe ashtu do të jetë gjithmonë, edhe kundër Milanit të enjten”, përfundoi Totre.

Pas ndeshjes me Vardarin skuadra të dielën kishte rikuperim, ndërsa trajneri Osmani të hënën i la futbollistët të lirë. Të martën ekipi ushtron para dite në Tetovë, ndërsa pas dite udhëton drejt Milanos.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat