Juve dhe Lazio, në ndjekje të trofeut të parë të sezonit

Futboll

Juve dhe Lazio, në ndjekje të trofeut të parë të sezonit

Më: 12 gusht 2017 Në ora: 23:50
Juve - Lazoi

Pas një emigrimi 3-vjecar Superkupa e Italisë rikthehet në atdhe, më saktë në “qytetin e përjetshëm”, ku në Stadiumin “Olimpico” Juventusi dhe Lacio do të masin forcat edhe për trofeun e parë të sezonit. Krejt ndryshe nga edicioni i kaluar, që u zhvillua në Doha të Katarit, vetëm dy ditë përpara festës së Krishtlindjes, këtë radhë drejtuesit e futbollit italian vendosën që Superkupa t’i paraprijë sezonit, duke patur parasysh që kampionati italian starton pikërisht fundjavën e ardhshme. Rekordmenët e këtij kompeticioni marrin pjesë për të gjashtë herë radhazi, sidoqoftë këtë herë bëhet fjalë për një trofe jubilar, pasi ky është edicioni i 30 i Superkupës së Italisë.

Milani është mbajtësi i këtij trofeu, gjithsesi “kuqezinjtë” bashkë me “zonjën e vjetër” janë edhe dy klubet që kanë fituar më shumë, në historinë e këtij aktiviteti, plot shtatë herë, ndërsa Interi vjen menjëherë më pas, me pesë të tilla. Si Juventusi ashtu edhe Lacio duket se janë abonuar në finalet e Superkupës, pasi përballja e Olimpikos është gjithashtu e treta në pesë edicionet e fundit, që këto dy skuadra diskutojnë ndërmjet tyre. Pas disfatës së Kardifit në Champions “bardhezinjtë” kanë ndryshuar disi, teksa është larguar Leonardo Bonucci, gjithsesi në skuadër janë afruar emra të tillë si Bernardeschi, Douglas Costa, De Sciglio apo qoftë edhe portieri polak Szczesny.

Në krahun tjetër Simone Inzaghi ka humbur në merkato organizatorin argjentinas Lucas Biglia dhe me shumë gjasa “bardhekaltërit” do të lënë të lirë gjithashtu edhe sulmuesin e ri nga Senegali Keita Balde. Trajneri i Juventusit Massimiliano Allegri ka dhënë për të sigurtë në formacionin fillestar vetëm emra të tillë si Buffon, Higuain, Dybala dhe Mandzukic ndërsa në krahun tjetër forca e Lacios dihet është grupi. Këto dy skuadra janë ndeshur shumë shpesh këto vitet e fundit, madje tre muaj më parë po në të njëjtin stadium “zonja e vjetër” kompletoi për të tretin sezon radhazi “dopjetën”, teksa mundi ekipin e Simone Inzagit në finalen e Kupës së Italisë, falë golave të realizuar nga mbrojtësit Dani Alves dhe Leonardo Bonucci.

Në dhjetor Juventusi e humbi Superkupën pas gabimeve nga pika e 11-metërshit të dyshes Mandzukic – Dybala, sidoqoftë këtë herë “bardhezinjtë” janëe dukshëm favoritë teksa kanë fituar 12 nga 14 përballjet e fundit ndërmjet tyre. Supremacia e skuadrës së Alegrit është evidente, pasi rekordmenët e Italisë kanë fituar rresht shtatë sfidat e fundit nes tyre, madje pa pësuar as gol, pa harruar aspak edhe dy sukseset 4-0 dhe 2-0 pikërisht në Superkupë, respektivisht në Romë dhe Shangai. Superkupa do të luhet në orën 20:45 dhe ky takim do të arbitrohet nga gjyqtari kryesor Davide Massa.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat