Ne, ish futbollistët që i rezistuam Serbisë, e meritojmë një vend pune!

Futboll

Ne, ish futbollistët që i rezistuam Serbisë, e meritojmë një vend pune!

Nga: Ynall Duraku Më: 8 gusht 2017 Në ora: 15:03
Ardian Kozniku e Ynall Duraku

Debate

Futbolli dhe në përgjithësi sporti e populli shqiptar i Kosovës ka përjetuar gjëra shumë të këqija në vitet e 90-ta. Kohë të vështira nga viti 1990 e deri në vitin 1999, ku vazhdimisht ishim të persekutuar, të rrahur e madje ka pasur futbollistë edhe që janë vrarë nga milicia okupatore e Serbisë. Gjithë ato kërcënime e burgosje, nuk na ndalën në qëllimet tona. Kemi luajtur futboll në fusha të improvizuara, i rezistuam okupatorit serb dhe mbajtëm gjallë këtë sport, jo vetëm ne futbollistët, por në të gjitha fushat u angazhuan shqiptarët dhe gradualisht vumë themelet e shtetit.  Ne ish futbollistët derdhëm djersë e mundë, madje edhe gjak për të mbajtur gjallë sportin. Bëmë lojëra të mira sa në Llukar, sa në Hogosht, sa në Dushanovë, sa në Kçiç, sa në Dumnicë e shumë fusha tjera, aty ku nuk kishte as rrethoja, as tribuna, por thjeshtë një livadh, edhe aty Serbia me tërë makinerinë e saj na përndiqte e sa e sa herë kishte ndërprerë ndeshjet tona. 

Ish futbollistët e asaj periudhe, një numër jo edhe i vogël, sot jemi të papunë dhe askush nuk na vlerëson. Ne ish futbollistët që i rezistuam Serbisë, e meritojmë një vend  pune. Nuk po kërkojmë as poste të larta, por thjeshtë një vend punë për të siguruar ekzistencën në familje. Nuk ishte e lehtë ajo kohë, nuk ishte lehtë të udhëtosh si ekip at periudhë,  sepse maltretimet e rrahjet ishin të shpeshta nga milicia okupatore serbe.

Më kujtohen shumë herë kur milicia serbe na ndalonte, na kontrollonte makinat dhe gjente fanellat tona në bagazh apo të fshehura nëpër karrige, vërtet ishte një ferr për ne,  sepse na torturonin qoftë psikikisht, qoftë fizikisht, e na çonin në bisedë informative. Unë personalisht jam rrah nga milicia serbe, kur isha në kombëtaren e Kosovës dhe kishim zhvilluar një ndeshje revyale në Prishtinë.  Por fundja,  jemi krenarë që ishim pjesë e asaj periudhe të rezistencës, sepse bëmë vepra të mëdha dhe nuk ka kush që mund t’i fshijë ato.  Gjenerata e asaj periudhe meriton një respekt, nuk meritojmë të jemi papunë dhe të bredhim rrugëve sa poshtë e sa lartë. Nuk dua ta fajësojë askënd, as ta drejtojë gishtin, por nuk jemi shumë, ata që jemi si ish futbollist të dëshmuar, të paktën të jemi diku nëpër puna.

Sot, pas 18 vjetësh në Liri, pas më shumë se nëntë vjetësh shtet, vërtet mërzitem, sepse kemi merituar më shumë dhe jo të jemi në kësi gjendje, kur ish futbollistët kanë mbetur askund. Sot kemi të angazhuar njerëz në sport, që kurrë në jetën e tij nuk i ka lidh këpucë sportive, e lere më që ka goditur topin ndonjëherë në fushën e blertë. Mbi të gjitha, meritojmë një trajtim me të mirë, meritojmë një vend pune dhe jo si jemi mbetur rrugës një numër jo edhe i vogël futbollistësh.  Sepse nuk ka qenë lehtë t’i rezistosh okupatorit serb, se disa u rrahën e u burgosën, e ka prej atyre sportistëve që u vranë. Krejt për fund, nuk po kërkojmë mëshirë, por e kërkojmë atë që e meritojmë si sportistë të dëshmuar dhe që ishim  shembull.

Autori është ish futbollist shumëvjeçar i Prishtinës,  Trepçës ’89 dhe Besianës

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat