Tovërlani: Si është e mundur sulmuesi më i mirë të luajë disa minuta?

Futboll

Tovërlani: Si është e mundur sulmuesi më i mirë të luajë disa minuta?

Nga: Kemajl Goca Më: 31 korrik 2017 Në ora: 17:46
Afrim Tovërlani

Njohësit e futbollit parashikojnë se edicioni i ri do të jetë më i mirë në Superligën e Kosovës. Ish futbollisti i mirënjohur i Prishtinës, Afrim Tovërlani, apo siç njihet si trajner i trofeve, ka deklaruar për gazetën kombëtare “Bota sot” se edicioni i ri do të jetë më atraktiv, gjithashtu ka shtruar pyetje: Si është e mundur që sulmuesi më i mirë në Kosovë të luaj vetëm disa minuta?

“Bota sot”: Afrim, si e sheh edicionin e ri, më atraktiv se ai paraprak apo më i dobët?

Afrim Tovërlani: Mendoj se do të jetë më atraktiv se të kaluarit.

“Bota sot”: Shumë klube janë përforcuar, a mendoni se kjo do të sjellë edhe rritje të nivelit, apo ndonjëra mund të dështojë?

Afrim Tovërlani: E sigurt është që dikush do të dështoj sepse nuk munden të gjitha të jenë të njëjta. Por besoj se do të ketë ngritje të cilësisë. Mendoj se shumica e klubeve janë më serioze se në të kaluarën.

“Bota sot”: A do të jetë infrastruktura sportive (fushat) peng i zhvillimit të ndeshjeve edhe më cilësore, apo konsideroni se krahasim me disa vite është në nivel më të mirë?

Afrim Tovërlani: Fushat janë më mirë se që kanë qenë, por jo ashtu si do të duhej. Askund më nuk diskutohen fushat sepse ka kritere më të ashpra se tek ne dhe për futboll të mirë e të shpejt fusha është primare.

“Bota sot”: Çfarë i duhet më shumë futbollit të Kosovës?

Afrim Tovërlani: I duhet punë e planifikuar, profesionist të zanatit dhe referim me korrekt e real dhe durim të kryesive në veçanti. Por realisht shumë nga kryesitë nuk e kanë traditën, kështu që edhe ata duhet të mësojnë krahas trajnerëve dhe lojtarëve. Është proces që duhet ta kalojmë së bashku.

“Bota sot”: Kosova u përfaqësua për herë të parë me dy klube (Trepça '89 në Champions League e Prishtina në Europa League), por në xhiron e parë u eliminuan, a është një sinjal për të gjithë, se duhet një mobilizim dhe investim më i madh sidomos lojtar më cilësor apo punë më e mirëfilltë?

Afrim Tovërlani: Me thënë të drejtën të gjithë jemi dëshpëruar me paraqitjen dhe eliminimin e ekipeve tona. Fuqishëm besoj se nuk jemi aq të dobët si u paraqitem, por gjithsesi se është sinjal për shumë më shumë punë. Kuptohet që edhe në lojtar cilësor por nuk është e lehtë të sillen në Kosovë ata që vlejnë, sepse klubet tona ende nuk kanë buxhet të mjaftueshëm. Por shtrohet pyetja: Si është e mundur që sulmuesi më i mirë në Kosovë John (vër. jonë KF Trepça ’89) të luajë vetëm disa minuta në ndeshjen e kthimit kur kërkohej goli dhe fitorja! A mundeni ju të më shpjegoni?

 “Bota sot”: Ende pa klub, keni vendosur të pushoni edhe një kohë, apo asnjë klub nuk ua mbush syrin?

Afrim Tovërlani: Biseda kam pasur por nuk kam arritur marrëveshje. Me mbetet të shoh se si do të shkojnë gjërat në fillim të kampionatit. Një gjë është e sigurt se ekipi që nuk lufton për tituj nuk jam i interesuar të shkoj. Por këtë ia lëmë kohës. Unë jam mirë dhe nuk dua të ngutem për asgjë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat