Fasone i përgjigjet presidentit të Romës

Futboll

Fasone i përgjigjet presidentit të Romës

Më: 28 korrik 2017 Në ora: 17:23
Marko Fasone

Pas deklaratës së sotme të presidentit të Romës, Xhejms Palota, i cili tha se Milani po bën një çmenduri me shpenzimet në merkato duke harxhuar para të cilat pronarët kinezë nuk i kanë të tyret por i kanë marrë borxh, ka ardhur reagimi i administratorit të kuqezinjve, Marko Fasone.

“Jam i habitur nga deklaratat që lexova këtë mëngjes, fillimisht nga stili i tyre. Është diçka jo e zakontë në Itali që një klub të sulmojë me një fjalor të tillë një klub tjetër. Më pas më çuditi preçizioni që përmbante deklarata, duke thënë që pronarët e Milanit nuk kanë para për të blerë klubin në një kohë që të gjithë e dimë se transaksione të këtyre nivele zakonisht bëhen në këtë formë.

Ndërkohë shifrat janë totalisht të gabuara. Të gjithë e dinë që fondi për të cilin flet Palota është 180 milionë, pjesë e vlerës totale 740 milionë. Pasaktësi nga njëra anë dhe stil nga ana tjetër që lë shumë vend për diskutim.

Gjithashtu nuk e kuptoj se çfarë do të thotë që Milani do t’i paguajë pasojat e blerjeve të lojtarëve që po bën. Nuk e di nëse është një kërcënim. Ne kemi caktuar një fond prej 50 milionë eurosh për merkaton e kësaj vere dhe jemi ende shumë poshtë arritjes së këtij niveli. Kemi një plan disavjeçar të përgatitur nga njerëz të njohur të bordit. E kemi prezantuar edhe para UEFA-s për të arritur në një marrëveshje. Të gjithë e dinë, është diçka publike, mund t’ia tregoj edhe Palotës nëse dëshiron.

Situata financiare e Milanit është shumë më e mirë se ajo e Romës dhe kjo duket në kuotimin publik të aksioneve në bursë”, u shpreh ai.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat