Kompania e punësuar nga UEFA denoncoi Kukësin, lojtarët nuk deshën të dorëzonin celularët

Futboll

Kompania e punësuar nga UEFA denoncoi Kukësin, lojtarët nuk deshën të dorëzonin celularët

Më: 10 korrik 2017 Në ora: 19:34
Pamje nga stadiumi i Kukësit

Mediat austriake kanë zbardhur detajet e asaj që ndodhi në natën e të dielës me skuadrën e Kukësit, kur u dha urdhri për ndalimin e kampionëve të Shqipërisë në Vjenë dhe shoqërimin e tyre në polici. Dyshimet kanë lindur gjatë ndeshjes kundër Dinamos së Moskës të humbur me shifrat 6:0 nga verilindorët, një sfidë e cila bëri të ndizen kambanat e alarmit te kompanitë e monitorimit të basteve.

Policia austriake ka një marrëveshje bashkëpunimi me kompaninë “Sportradar”, e njëjta që është kontraktuar nga UEFA dhe që ka sinjalizuar edhe më parë rastet e dyshimta të klubeve shqiptare si Skënderbeu apo Teuta. “Kurier” raporton se pas përfundimit të ndeshjes, kompania në fjalë ka sinjalizuar policinë, e cila ka marrë masat që të hetonte këtë çështje.

Gazeta austriake tregon se janë marrë në pyetje 8 lojtarë, trajneri dhe menaxheri i skuadrës. “Të 8 lojtarët u zgjodhën në bazë të analizës video të ndeshjes”, ka shpjeguar Andrea Holzer, Shefi i Departamentit për Krimin e Organizuar në Policinë Federale Austriake. Me pak fjalë, ekspertët e policisë austriake, e cila ka një task-forcë të veçantë për luftën ndaj manipulimit të ndeshjeve, kanë përcaktuar si të dyshimta sjelljet e lojtarëve të cilët më pas u morën në pyetje.

Para hetuesve, futbollistë e Kukësit kanë refuzuar çdo akuzë ndaj tyre. Për të zbuluar një marrëveshje të mundshme manipulimi mes personave që u paraqitën në polici, atyre iu konfiskuan celularët. Asnjë nuk pranoi ta dorëzonte me dashje celularin, derisa mbërriti një urdhër nga prokuroria.

Pas marrjes në pyetje, të gjithë janë lënë të lirë të largohen, ndërsa hetimet për këtë rast vazhdojnë. Sipas policisë kriminale, nuk përjashtohet mundësia që ndeshja mes Kukësit dhe Dinamos së Moskës të mos jetë rasti i vetëm kur janë manipuluar ndeshjet.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat