Ibraimi: Me Shkëndijen jemi pranë kualifikimit

Futboll

Ibraimi: Me Shkëndijen jemi pranë kualifikimit

Nga: Kemajl Goca Më: 30 qershor 2017 Në ora: 18:56
Besart Ibraimi në aksion

Shkëndija e Tetovës me një këmbë është në rrethin e dytë të kualifikimeve për Europa League. Skuadra shqiptare tregoi paraqitje të jashtëzakonshme në stadiumin në Strumicë, duke e deklasuar me rezultat 3:0 Dacia Chisinau nga Moldavia. Kjo fitore i jep edhe më shumë motiv për takimin e kthimit që do të luhet të enjten e ardhshme përkatësisht me 6 korrik në konak të Dacia-s. Nënkampioni i Maqedonisë tani është më i qetë, e presin takimin e kthimit dhe besojnë e shpresojnë se do të dalin sërish me rezultat të mirë. Synimi i skuadrës kuqezi, e cila është më e organizuara si kolektiv në futbollin e Maqedonisë, synojnë të jenë sa më lartë në Europa League.

Sulmuesi më i mirë, Besart Ibraimi, deklaroi për gazetën kombëtare “Bota sot” se dëshmuan lojë cilësore dhe si fryt i kësaj edhe triumfuan me rezultat 3:0. Ai është optimistë edhe për takimin e kthimit, se do të japin maksimumin dhe t‘i gëzojnë tifozët e tyre. Tetovarë bënë me dije se janë mirë të përgatitur dhe fitorja vjen si fryt i lojë së organizuar në çdo aspekt, e cila ka mundur të jetë edhe më e thellë në bazë të rasteve. Në fakt, nuk duhet harruar se Shkëndija luajti larg tifozëve të saj, sepse në Tetovë stadiumi nuk i plotëson kriteret sipas standardeve ndërkombëtare, prandaj edhe pse në Strumicë, nuk i pengojë që të dëshmojnë cilësitë dhe të shënojnë fitore të thellë ndaj moldavëve.

“Bota sot”: Shkëndija triumfoi me rezultat bindës, a mendoni se veç jeni të kualifikuar?

Besart Ibraimi: Kemi zhvilluar ndeshje shumë kualitative dhe kemi marrë rezultat shumë pozitiv. 3:0 na vendos në pozitë shumë ideale para ndeshjes së kthimit, mirëpo ne jemi profesionistë dhe duhet të kemi qasje serioze deri në moment të fundit. Po jemi pranë kualifikimit, por larg asaj se puna është kryer. Futbolli din të sjellë befasi dhe ne nuk duhet të lejojmë të ndodh diçka e tillë. Tek e fundit çdo sukses në Evropë sjell pikë për të ardhmen dhe ne edhe në Moldavi do të kërkojmë fitore.

“Bota sot”: Çfarë e veçojë ekipin tuaj nga ai moldav?

Besart Ibraimi: Skuadra u dallua me shpirtin ekipor dhe lojën luftarake nga minuta e parë. Kushtet nuk ishin më ideale, duke pasur parasysh vapën e madhe gjatë pjesës së parë. Shënuam dy gola të shpejtë dhe kjo na lehtësoi shumë punën. Fitorja është e thellë, por realisht kemi mundur të shënojmë edhe ndonjë gol.

“Bota sot”: A besoni se do të kualifikoheni në fazën e grupeve në Europa League?

Besart Ibraimi: Nuk duam të mendojmë për gjëra të tilla pasi ajo sjell presion shtesë. Të marrim gjërat me radhë. Në këtë moment për ne më e rëndësishme është ndeshja e kthimit me Dacian në Moldavi. Për gjërat tjera do të mendojmë kur të vijë koha.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat