Tirana nis stërvitjen me dyshen Gvozdenovic-Egbo

Futboll

Tirana nis stërvitjen me dyshen Gvozdenovic-Egbo

Më: 15 qershor 2017 Në ora: 22:53
Tirana

Nën drejtimin e dyshes Ivan Gvozdenovic-Emmanuel Egbo, Tirana nisi zyrtarisht stërvitjen për sezonin futbollistik 2017-2018. Në Selman Stërmasi bardheblutë zhvilluan seancën e parë për tu përgatitur për dy sfidat e turit të parë të Europa Leagues. Deri sa presidenti Refik Halili të gjejë një emër të ri për stolin, 24-herë kampionët do të drejtohen nga dy zëvedësit e Mirel Josës, i cili u largua  zyrtarisht nga pankina e Tiranës, këtë të Enjte. Në ditën e parë të stërvitjes ishin vetëm 15 futbollistë nën urdhrat e serbit Gvozdenovic dhe nigerianit Egbo. Mes tyre spikasnin kapiteni Erando Karabeci, mbrojtësi Albi Doka, mesfushori Asion Daja, sulmuesi Grent Halili apo edhe portierët Ilion Lika e Edvan Bakaj. Tashmë është e sigurtë Afrim Taku, është larguar zyrtarisht nga Tirana dhe nuk do të jetë më pjesë e bardhebluve në sezonin e ri ashtu si edhe mbrojtësi Olsi Teqja.

Në stërvitjen e parë të Tiranës mungoi edhe mesfushori shkodran Gilman Lika i cili nuk e ka përcaktuar ende të ardhmen, ndërkohë që grupi plotësohej nga shumë futbollistë të rinj në moshë. Mungonin të gjithë lojtarët afrikanë, por ata që janë nën kontratë do të rikthehen te 24-herë kampionët. Dy mesfushorët nga Kongo Moise dhe Merveille të cilët spikatën në sezonin e fundit do të bashkohen shumë shpejtë me skuadrën, vonesa e tyre ka të bëjë me faktin se kanë qenë të grumbulluar me ekipin e tyre përfaqësues. Në ditët e ardhshme presidenti Refik Halili do të dalë në një konferencë për shtyp ku do të prezantojë ndoshta trajnerin e ri ndërsa do të bëjë të ditur edhe strategjinë e re të Tiranës që në 19 Qershor do të mësojë edhe shortin e turit të parë në Europa Leagues. Nuk do të ishte aspak surprizë që në Europë dhe në sezonin e ardhshëm të kategorisë së parë, 24 herë kampionët të vazhdojnë të drejtohen nga dyshja Gvozdenovic-Egbo. Tirana e ka  nisur me shumë vonesë stërvitjen, duke patur parasysh faktin që në 29 Qershor luan ndeshjen e parë në Europa League, megjithatë gjatë kësaj periudhe futbollistët janë stërvitur në mënyrë individuale.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat