Vllaznia ngjitet në Vala Superligë, Ferizaj bie sërish

Futboll

Vllaznia ngjitet në Vala Superligë, Ferizaj bie sërish

Më: 4 qershor 2017 Në ora: 12:46
Tifozët e Vllaznisë

Skuadra e Vllaznisë së Pozheranit do të jetë pjesë e Vala Superligës së Kosovës në edicionin e ardhshëm. Skuadra e cila deri më tash garoi në Ligën e Parë, ka shkruar historinë, pasi sot ka arritur të shënojë fitore kundër Ferizajt, në ndeshjen e barazhit që u zhvillua në stadiumin “Riza Lushta” në Mitrovicë, një atmosferë madhështore të krijuar nga tifozeritë e të dyja skuadrave. Deri te suksesi historik Vllaznia arriti pas fatit më të madh në gjuajtjet e penalltive, duke fituar 3:2, pasi ndeshja në kohën e rregullt u mbyll 0:0, kurse pas vazhdimeve 1:1. Ferizaj ishte më i mirë gjatë kohës së rregullt dhe pati disa mundësi të mira shënimi, por i mungoi fati për të gjetur rrugën e golit.

Ndërkohë, në minutën e fundit Ferizaj mbeti me 10 lojtarë në fushë pasi Florent Papuqi u ndëshkua me karton të kuq. Në vazhdime sërish ferizajasit ishin më këmbëngulës, por një gabim në mbrojtjen e tyre në minutën e 97-të e shfrytëzoi Bruti i cili më pas e shërbeu Lirian Feratin, që shënoi nga brendësia e zonës. As pas këtij goli ferizajasit nuk u dorëzuan dhe në minutën e 108-të arritën ta barazojnë rezultatin me golin e shënuar nga Enis Kuka, për ta çuar ndeshjen në penallti. Në serinë e penalltive heroi i Vllaznisë ishte portieri Jasir Bajrami, i cili priti dy penalltitë e fundit. Te Vllaznia shënuan Bruti, Sylejmani dhe Kallaba, derisa dështuan Ferat e Merovci, kurse te Ferizaj shënuan Shabani dhe Tërshana, por në tri penalltitë e fundit dështuan Bushi, Kuka dhe Salihu. Kësisoj, Vllaznia ngjitet në Superligë për herë të parë, derisa Ferizaj rikthehet sërish pas një viti në Ligën e Parë. Ndërkohë, nesër luhet ndeshja tjetër e barazhit ndërmjet Dukagjinit dhe Dritës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat