Klubi shqiptar kurrë më afër që të bëjë historinë në Mal të Zi

Futboll

Klubi shqiptar kurrë më afër që të bëjë historinë në Mal të Zi

Nga: Kemajl Goca Më: 29 maj 2017 Në ora: 18:11
Skënder Rexha e Xhemal Kaplanbegu

I madh dhe i vogël jetojnë me futboll në Ulqin.  Klubi shqiptar Otranti Olimpik kurrë nuk është më afër elitës së futbollit të Malit të Zi.  Otrant Olimpik beson se do të bëjnë historinë dhe t’i gëzojnë kudo që janë shqiptarët. Organizimi shembullorë, puna me zell të shtuar, lojërat cilësore, bënë që Otrant të përfundoi në vend të tretë me 51 pikë në Ligën e Dytë, që i siguroi vizën për të luajtur në barazh për t’u ngjitur në elitë, kundër Rudarit të Plevlës. Ndeshja e parë luhet me 31 maj në Ulqin (17.30), ajo e kthimit të dielën në Plevla. Kryetari i klubit, Skënder Rexha, njeriu që bëri punë të jashtëzakonshme së bashku me trajnerin e palodhshëm Xhemal Kaplanbegu, janë optimistë të mëdhenj para kësaj sfide historike. Fillimisht, ky klub kishte synim mbetjen në Ligë, por assesi nuk i shkojë mendja se do të janë kandidatë më seriozë për elitë. Rexha e Kaplanbegu flasin ekskluzivisht për gazetën kombëtare “Bota sot”, duke treguar për atmosferën para sfidës historike.

“Bota sot”: Skënder, ekipi Otrant Olimpik kurrë më afër elitës. A është një sukses historik?

Skënder Rexha: Domethënë pas disa vjetësh pauzë, pasi që nuk ka pasur futboll së paku tri vite, u formuar një klub, pra nga zeroja, nga ai i vitit 1921 kur ka ekzistuar klubi, ka qenë rezultati më i mirë deri me tash në histori. Unë si kryetar në klub, i kam kthyer fëmijët me luajtur në Ulqin, të cilët kanë treguar kualitet, dinë me luajtur top dhe me pak mjete, me dy - tre përforcime, kishim shkuar direkt në elitë. Do të takohemi në barazh me një kundërshtar të fortë siç është Rudari, tri herë kampion i Malit të Zi dhe dy herë fitues i Kupës, tre-katër lojtarë i ka të kombëtares së Malit të Zi dhe po ashtu edhe nga Serbia.

“Bota sot”: Çfarë është atmosfera para ndeshjes me Rudarin?

Skënder Rexha:  Është hera e parë në histori që luftojmë të inkuadrohemi në elitë. Në asnjë ndeshje nuk kemi pasur probleme qoftë brenda qoftë jashtë.  Por, në vitin 2007-08 kur isha drejtor i klubit atëkohë, ka qenë një kampionat më ndryshe, më më shumë telashe. Sot i gjithë Ulqini jeton me klubin Otrant. Çdo minutë e çdo kund flitet për suksesin tonë, stërvitjen e shikojnë 300-400 shikues. Kemi përkrahjen nga kryetari i komunës, nga të gjithë, secili jep kontributin e vet. Në klub janë 99 për qind shqiptarë, ulqinakë, ata kanë një vullnet, me treguar futboll të mirë dhe meritojmë të jemi në elitë. 

Besoj e shpresoj se do të arrijmë qëllimin, edhe pse fillimisht e kishim cak mbetjen në ligë, por tani kërkojmë elitën. Besojmë se do ta fitojmë ndeshjen e parë, duke u bazuar kur e kishim mundur në Podgoricë kampionin e Ligës së Dytë, Kom me rezultat 2:0, pastaj Ibarin. Kemi bërë disa gabime që nuk i kemi pritur,  por në të ardhmen do t’i evitojmë, kemi projektin tonë dhe shikojmë të kemi sa më pak lojtar të huaj, jo që jemi kundër të huajve, por kemi ne shumë talent dhe që janë një e ardhme e mirë. Kadetët janë në vend të tretë në Ligën e Parë. Kemi një të ardhme të mirë me ta, kemi trajnerin e kadetëve, i cili është nga Shkodra, Rudi Piraniqi.  Te seniorët, Xhemal Kaplanbegu, i cili ka luajtur edhe në Kosovë, trajner i ri me licencë A dhe me punën e tij nga Liga e Tretë e ka prurë ekipin në këtë nivel.

“Bota sot”: Xhemal, Si e sheh takimin me Rudarin, a mendoni se jeni më të motivuar?

Xhemal Kaplanbegu: Mendoj që në këtë ndeshje, ne jemi më të relaksuar, ndërsa Rudari ishte më i suksesshëm si klub pas pavarësisë së Mali të Zi. Është ndeshje historike për ne. Siç e dimë, në fillim të edicionit, qëllim e kishim mbijetesën, tani gjendem pranë elitës. Hera e parë që gjendemi në barazh dhe do të jetë një ndeshje mjaft nga aspekti emocional, shumë me të tensionuar e në presion për Rudarin dhe këtu e shohim rastin të arrijmë qëllimin tonë. Nga ana e kualitetit janë më cilësorë, por ne besojmë se do të arrijmë qëllimin. Atmosfera është mjaft e mirë, në të dyja ndeshje shpresojmë se do të arrijmë qëllimin, të marrim rezultat pozitiv dhe për herë të parë UIqini të ketë ekipin në Superligën malazeze.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat