Tirana, rënia e një legjende

Futboll

Tirana, rënia e një legjende

Më: 28 maj 2017 Në ora: 12:00
Deshperimi i lojtareve

Rrëzimi i një legjende. 27 Maji i vitit 2017, do të mbahet mend si dita më e zezë e historisë së Tiranës. Në Loro Borici në një duel të vërtetë mbijetesë mes dy skuadrave më të vjetra të futbollit shqiptar, Vllaznisë dhe Tiranës, bardheblutë prekën fundin duke u rrëzuar për herë të parë në historinë e tyre nga Kategoria Superiore, në 96 vite jetë si klub dhe 78 vite kampionat. E Shtuna në Shkodër ishte dita qametit për Tiranën skuadrën më të titulluar në vend me plot 24 tituj kampion.

Mjafton të shikoje pas vërsëllimësh së fundit të gjyqtarit Mazzoleni, lotët e Hoxhallarit, Dokës, Karabecit, Teqjes e shumë lojtarëve të tjerë për të kuptuar se ky ishte fundi historik për një skuadër ikonë të futbollit shqiptar. Që situtata precipitoi në këtë pikë faji është i të gjithëve duke filluar nga drejtuesit për të vazhduar  me stafin teknik dhe futbollistët. Trajneri Josa e kishte nënvizuar shpesh përgjatë sezonit se shumë prej këtyre lojtarëve nuk meritonin të mbanin veshur fanellën e Tiranës, por në fund të një drame që u shënua në Shkodër, Josa mori përgjegjësitë mbi vete ndërsa i drejtoi gishtën e akuzës edhe presidencës, për të liruar disi nga përgjegjësitë futbollistët që sipas tij dhanë maksimumin në sfidën e Loro Boricit.

Ky sezon nuk nisi aq keq për Tiranën por u mbyll në mënyrën më tragjike të mundshme. Tani as suksesi në finalen e Kupës së Shqipërisë ndaj Skëndërbeut nuk mund të shpëtojë atë që do të konsiderohet gjithmonë si sezoni më i dështuar i futbollit bardheblu. Gabimi i madh i drejtuesve ishte ndryshimi në stol me largimin e Ilir Dajës dhe afrimin e Mirel Josës pak javë pas fillimit të kampionatit. Një veprim i nxituar i presidentit Halili që solli këtë dështim historik. Edicioni futbollistik 2016-2017, do të kujtohet edhe për faktin se një trajner që u shpall për 4 vite rradhazi kampion me Skënderbeun, preku pikën më të ulët të karrierës së tij duke rrëzuar për herë të parë nga kategoria skuadrën më të titulluar të futbollit shqiptar të cilën e mori në vendin e 4-t dhe renditi të 9-tën.

Ai është Mirel Josa një ish legjendë bardheblu që këtë herë me marrjen e drejtimit të Tiranës në një gjëndje të tillë bëri ndoshta zgjedhjen më të gabuar në karrierë duke njollosur emrin e tij.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat