Skënderbeu nuk ndalet, fundoset Tirana

Futboll

Skënderbeu nuk ndalet, fundoset Tirana

Më: 16 maj 2017 Në ora: 08:32
Skënderbeu Tirana

Një 11-metërsh i kontestuar nga Tirana dhe i shndërruar në gol nga Hamdi Salihi i dha fitoren e shtatë radhazi në kampionat Skënderbeut, që i mbeten edhe dy finale për të mos e dorëzuar titullin kampion. Tjetër humbje e rëndë për bardheblutë, që rrezikojnë seriozisht rënien nëse vazhdojnë me këtë ecuri negative rezultatesh në dy takimet e mbetura. Një sfidë me nerv dhe shumë e luftuar në Korcë, e interpretuar në mënyrën e duhur nga skuadra e Josës, që ndoshta e ka braktisur edhe fati në këtë fund kampionati. Rasti i parë i rrezikshëm i sfidës u shënua në portën vendase në minutën e 14-të.

Lëvizje e bukur e Merveill, që nxjerr jashtë lojë Vangjelin, por Taku i shërbyer nga kongolezi nuk koordonohet si duhet ne goditje në një penallti në lëvizje. Latifi ishte i pasaktë në të 21-tën në ekzekutimin e një goditjeje të lirë, ndërsa pak caste më vonë takimi ndërpritet për disa minuta për t’i ardhur në ndihmë Jashanicës, i dëmtuar në dyluftim me Turtullin. Reagon në pozicion Shehi pas tentativës së Merveill nga distanca, ndërsa në krahun tjetër Jashanica rrezikon me kokë pas një këndoreje të ekzekutuar nga Latifi. E pabesueshme cfarë humbet Merveill në të 40-ën. Përballë Shehit 20-vjecari godet dobët, duke humbur një rast të artë për ta kaluar Tiranën në avantazh. Pretendon për 11 metërsh Hamdi Salihi në minutën e 43-të, pas ndërhyrjes së ashpër të Teqjes, për gjyqtarin Hamiti nuk ishte penallti.

Pjesa e parë mbyllet me një gjuajtje kros të Vangjelit që në vë vështirësi Ilion Likën. Skënderbeu imponon lojën në pjesën e dytë, por James në të 54-rën bën rolin e mbrojtësit pas goditjes me kokë të Vangjelit. I pafat Salihi pak caste më vonë, traversa i mohon festën e golit shkodranit.

Momenti vendimtar i sfidës vjen në minutën e 83-të, kur Goditja e Latifit u ndal nga traversa, por aksioni vijon dhe Karabeci i pakujdesshëm  i ndërhyn nga pas Salihit, me Hamitin që vërshëllen për 11-metërsh. Të kota reagimet e bardhebluve, gjyqtari është i vendosur në vendimin e tij. Ekzekutimin e penalltisë e merr vetë shkodrani, me Likën e prek topin me majat e gishtave por jo sa për të shmangur golin. Tirana provon gjithcka në minutat e fundit, por nuk ka as fatin me vete, si në minutën e tretë shtesë, kur Shehi fluturon për ta ruajtur të paprekur portën e korcarëve. Festë te Skënderbeu që beson me të drejtë te titulli kampion, ndërsa Tiranës i nevojiten pikët të plota me Luftëtarin dhe Vllazninë për të siguruar mbijetsën.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat