Fitore e madhe e Flamurtarit, Tirana rrezikon mbijetesën

Futboll

Fitore e madhe e Flamurtarit, Tirana rrezikon mbijetesën

Më: 7 maj 2017 Në ora: 05:45
Flamurtari, Tirana

Dy gola në limitet e kohës së rregullt i dhanë një fitore të madhe Flamurtarit ndaj Tiranës në Vlorë. Perla e Donjet Shkodrës nga goditja e lirë dhe finalizimi i Bushic në shtesë fundosën bardheblutë e Josës, të cilët rrezikojnë serizisht rënien nëse nuk reagojnë si duhet në ndeshjet e mbetura. Një gabim i Moise përballë Halilajt u kthye në bumerang për Tiranën, që u ndëshkua në momentin e saj më të mirë, pikërisht atëherë kur ishte më pranë fitores.

Më kërkues Flamurtari në minutat e para, i shtyrë edhe nga faktori fushë. Harkimi i Veliut në të 8-ën gjeti kokën e Bushicit, por topi përfundoi jashtë. Ardit Shehaj nuk arrin t’ japë drejtimin e duhur topit pak caste më vonë , ndërsa Halilaj në krahun tjetër e kontrollon me qetësi topin e goditur befasissht nga Hoxhallari. Tirana rrezikon sërish me Edeh, që e detyron Halilajn ta shtyjë topin e devijuar me majën e gishtave. Instiktive ndërhyrja e Ilion Likajt pas devijimit me kokë të Danilo Alveshit nëminutën e 32-të, ndërsa rastin më të pastër në këtë pjesë e pati në të 36-ën Edeh, që pasi shmangu Veliun goditi në qendër me Halilajn që reagoi në pozicion. Në aksionin pasardhës Doka provoi me një gjuajtje-kros,  por topi shkon aty ku bashkohet shtylla me traversën. Panik në zonën e Tiranës në të 42-ën, pasi topi i goditur nga Danilo alves qethi shtyllën. Pjesa e parë mbyllet me një zëvendësim të detyruar në radhët e Tiranës. Daja i dëmtuar ia lë vendin Moises.

Nis me aksione të shpejta në të dy krahët pjesë e dytë, por bie rrezikshëria në portat respektive. Veliaj në të 69-ën shpërdoron një goditje të lirë që përfundon në duart e Likës. Portieri bardheblu kontrollon në të 72-ën edhe tentativën e Alveshit.

Cfarë humbet Moise në të 85-ën. Sulmues kongolez përballë Halilajt godet trupin e portierit vlonjat. Ligji i futbollit edhe këtë radhë tregohet i pamëshirshëm. Pas rastit të pastër të humbur nga Tirana vjen goli i Flamurtarit pas ekzekutimit mjeshtëror të një goditjeje të lirë nga Donjet Shkodra.

Goditje e rëndë psikologjike për Tiranën që në tentativë për të barazuar, kapet në kundërsulm sapo nis koha shtesë. I papërmbajtshëm Danilo Alves që në momentin e fundit pason për Bushic, që s’mund të gabonte me portën e boshatisur.

Kjo ishte goditja Knockout për Tiranën, që duhet vërtet të shtrëngojë shëmbët në katër ndeshjet e mbetura për të shmangur rënien, ndërsa Flamurtari me këtë fitore hedh një hap të sigurtë për mbijetesë, madje me të drejtë mund të pretendojë për vendin e katërt.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat