Tarashaj për median gjermane: Në Kosovë përgjithësisht kemi mentalitet të mirë, idoli im është Ronaldo i Brazilit

Futboll

Tarashaj për median gjermane: Në Kosovë përgjithësisht kemi mentalitet të mirë, idoli im është Ronaldo i Brazilit

Fitim Dika Nga Fitim Dika Më 5 maj 2017 Në ora: 15:23
Lojtari shqiptaro-zviceran, Shani Tarashaj

Lojtari shqiptaro-zviceran, Shani Tarashaj, ka dhënë një intervistë të gjatë për prestigjiozen gjermane “Frankfurter Rundschau”. Ai ka folur për kohët e vështira, mentalitetin, dashurinë për babain dhe pse thuajse e hyjnizon brazilianin Ronaldo.

Përkundër lëndimeve të shpeshta Tarashaj ka arritur të gjejë ritmin në klubin gjerman Eintracht, duke u aktivizuar 16 herë në shumicën e rasteve si zëvendësues.

“Eintracht Frankfurt ka arritur në finalen e Kupës së Gjermanisë duke qenë një sukses i madh për klubin, megjithatë ne si klub tani fokusohemi te liga. Ne duam ti fitojmë lojët e mbetura,” tha fillimisht Shani Tarashaj që kurrë nuk u frikësohet 11 metërshave.

Në lidhje me shëndetin dhe lëndimet, Tarashaj thotë: “Nuk e kisha paramenduar sezonën kështu siç shkoi, por tashmë ajo nuk mund të ndryshohet. E mira qëndron se edhe nga vështirësitë mund të mësosh dhe kurrë nuk duhet të humbasësh shpresën. Unë kam një mentalitet të mirë, ne në Kosovë përgjithësisht kemi mentalitet të mirë. Kam takuar mjaft persona që më kanë dhënë guxim dhe më kanë ndihmuar të rizhvillohem.”

Tarashaj i përfundon huazimi nga Evertoni në fund të sezonës, por shpreson që edhe një vit të kalojë në klubin e Bundesligës pasi ndjehet mirë me “stadionin, kolegët dhe tifozët gjermanë.”

Zemra dhe gjaku im janë nga Kosova

Në fund gazeta gjermane e pyet Shani Tarashaj në lidhje me përzgjedhjen e përfaqësueses zvicerane.

“Sa e vështirë është për ju që nuk luani për Shqipërinë?

Tarashaj: Shumë e vështirë, patjetër. Zemra dhe gjaku im janë nga Kosova. Por unë i jam falenderues Zvicrës, ku kam pasur një fëmijëri të shkëlqyeshme dhe ku kam pasur hapat e parë të karrierës futbollistike. I jam falenderues edhe për shkak se e di se çfarë ka bërë vendi im helvet për mua, por edhe për babain tim i cili në moshën 17 vjeçare erdhi i vetëm në vendin helvet.”

Duke folur më tepër për babain, thekson se pa sakrificën dhe mbështetjen e babait kurrë nuk do ishte këtu ku është. “Ai ndonjëherë linte punën vetëm për të më parë mua në stadion.”

Sipas Tarashaj sulmuesi më i mirë i gjithë kohrave ka qenë Ronaldo i Brazilit, të cilit ia ka kopjuar edhe frizurën komike të 2002. Ndërsa në lidhje me rivalitetin Messi dhe Christiano Ronaldo e përmbyll siç vijon:

“Cristiano Ronaldo është thjesht mashineri. Messi është një talent natyror, që ia ka falur Zoti. Ndërsa Ronaldo gjithshka e ka arritur me punë. Ai stërvitet ditë e natë dhe ia ka arritur.”/Bota sot/

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat