Tirana, një humbje që shërben për të ardhmen

Futboll

Tirana, një humbje që shërben për të ardhmen

Më: 29 prill 2017 Në ora: 13:03
Tirana

Një humbje gjithmonë dhemb, sidomos kur vjen ndaj Partizanit, sidomos në atë mënyrë, sidomos kur numri pa fitore në derbi shkon 13, po aq sa ndeshjet pa fitore në kampionat, por edhe një humbje mund të shërbejë dhe jo pak. Tirana ndaj Partizanit bëri ndeshjen më të mirë të sezonit, luftarake, e fortë, plot grintë e dëshirë, luajti dhe dhuroi futboll. Ishte vetëm, nuk mund të mbështetej te euforia e tifozëve të munguar, ndoshta nëse do të ishin do të kishte ndryshuar dicka, por Tirana kurrsesi nuk zhgënjeu. Mundësi të reduktuara për sa i përket organikës e sidomos zëvendësimeve, Tiranës mund ti mungojnë shumë gjëra, por në derbi nuk mungoi ai, shpirti bardheblu, karakteri që e ka bërë këtë fanellë të triumfojë edhe në ditët e saj më të vështira.

Pikërisht derbi mund të jetë baza për të nisur ndërtimin e së ardhmes, dhe për të gjetur shpresën aq shumë të munguar. Nëse Tirana zhduk diferencat me Partizanin kryesues, atëherë mund të fitojë përballë cdo kundërshtari. Tani përpara është mbijetesa, një mision për të evituar katastrofën, 5 ndeshje të mbetura për të shpëtuar Tiranën dhe një tjetër në dispozicion për të ngritur Kupën. Vështirë të thuash nëse kjo skuadër do të dijë të vërë në fushë të njëjtin shpirt si ndaj Partizanit edhe ndaj Flamurtarit, Korabit, Skënderbeut, Luftëtarit e Vllaznisë, por e sigurt është se nëse e bën, Tirana mund të gjejë sërish buzëqeshjen.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat