Barcelona gjunjëzohet keq para "Zonjës së Vjetër"

Futboll

Barcelona gjunjëzohet keq para "Zonjës së Vjetër"

Kemajl Goca Nga Kemajl Goca Më 11 prill 2017 Në ora: 21:10
Momenti i golit

Humbje e rëndë për Barcelonën në Torino me rezultat 3:0 nga kampioni në fuqi i Italisë, Juventusi në ndeshjen e parë të çerekfinales së Champions League. Futbollisti Paulo Dybala ishte në formën më të mirë të mundshme dhe me dy golat e tij që realizoi në 45 minutat e parë tronditi kampionin e Spanjës. Në minutën e 7-të, Cuadrado me lëvizje mjeshtërore brenda 16-shit, pason deri te Dybala i cili nga një pozitë jo edhe aq të lakmueshme, godet me të parën nga rreth 8-9 metra dhe kaloi në epërsi "Zonjën e Vjetër".

Në minutën e 22-të, një veprim i shpejt i kampionëve italian, kur Dybala pa menduar edhe aq shumë nga rreth 15 metra me një goditje sa befasuese aq edhe të fortë e mposhti portierin ter Stegen. Në pjesën e dytë, Juve shënoi edhe një herë dhe madje një gol jashtëzakonisht të bukur nga mbrojtësi Chiellini. Në minutën e 55-të, Pjaniç harkoi nga korneri, kurse Giorgio Chiellini nga rreth 9-10 me kokë godet aq bukur saqë portieri ter Stegen e ka shikuar topin se si funtet në këndin e djathtë, 3:0. Një fitore bindëse për Juven, e cila është  kapital i madh për takimin e kthimit në Camp Nou.

Një fitore që e bën edhe me të qetë trajnerin e Juventusit, Massimiliano Allegrin. Në anën tjetër, Barcelona ka pësuar disfatë të rëndë dhe gjithnjë e më shumë ia vështirëson mundësitë për një kualifikim të mundshëm. Megjthatë, Barcelona është Barcelonë dhe mund të bëjë përmbysjen si e bëri me kampionin e Francës, PSG-në.

Barcelona e kishte përmbysur humbjen me 4:0 në Paris, duke triumfuar me 6:1 dhe kishte siguruar kalimin në çerekfinale. Por tash gjërat janë ndryshe, sepse Barcelona ka përballë një rival që ka mbrojtjen më të fortë në botë.

Image

Gjithçka është e mundshme kur kihet për bazë se Barcelona ka sulmin më të mirë në botë me Lionel Messin, Luis Suarezin e Neymarin. Në fakt, Juventusi iu hakmor edhe për humbjen me rezultat 3:1 në finalen e vitit 2015. Juventusi edhe pse e ka epërsinë tani me 3:0, gjithçka është e hapur sepse Barcelona ka treguar qysh në rrethin e kaluar se ka forcë të bëjë përmbysjen. 

Juventus-Barcelona  3:0

Stadiumi "Stadium Juventus", Torino.

Gjyqtar:S. Marciniak.

Shënues: Dybala (7' e 22')., Chiellini (55').

Kartonat e verdhë:Alves, Mandzukic, Khedira, Lemina - Suarez, Iniesta, Umtiti.

Juventusi:Buffon, Alves, Bonucci, Chiellini, Alex Sandro, Pjaniç (Barzagli 89'), Khedira, Cuadrado (Lemina 73'), Dybala (Rincon 81'), Mandzukic dhe Higuain.

Barcelona: ter Stegen, Roberto, Pique, Umtiti, Mathieu (Gomes 46'), Mascherano, Rakitiç, Iniesta, Messi, Suarez dhe Neymar.

 

 

 

Rast të mirë për gol kishte edhe Gonzalo Higuain.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat