Revoltë në Shkodër për eliminimin e Vllaznisë

Futboll

Revoltë në Shkodër për eliminimin e Vllaznisë

Më: 16 shkurt 2017 Në ora: 16:41
KF Vllaznia

Eliminimi nga Kupa e Shqipërisë për Vllazninë, pikërisht prej disa vendimeve të njëanshme të arbitrit Enea Jorgji, ka shkaktuar një revoltë në Shkodër. Tifozë të shumtë dhe jo vetëm ata kanë bërë thirrje për “kryqëzimin” e këtij arbitri, duke mos e lejuar më të futet në këtë qytet. Sidomos në rrjetet sociale, por edhe në çdo bisedë të paradrekes së sotme, sportdashësit kishin vetëm këtë temë: ndëshkimin që Vllaznia po pëson prej “bluzave të zeza”. Disa tifozë sot kanë qenë të pranishëm para Bashkisë Shkodër dhe kanë kërkuar të kontaktojnë edhe me drejtues të këtij institucioni për të ngritur zërin, sepse me mënyrën si po rrjedhin gjërat, nuk është çudi që Vllaznia të rrezikohet për rënien nga kategoria.Nga ana tjetër, administratori Gjyrezi është parë në një nga lokalet në afërsi të bashkisë duke biseduar gjerë e gjatë me trajnerin Cungu. Me siguri që tema kryesore e diskutimit ka qenë ndeshja e djeshme. Jorgji dje ka gabuar dhe këtë e pranojnë të gjithë, por shumë prej tifozëve shkodranë kanë fajësuar drejtuesit e klubit, që e kanë pranuar këtë arbitër në këtë takim, ngaqë vetëm dy javë më parë, në ndeshjen ndaj Partizanit, dha një tjetër 11-metërsh të diskutueshëm.Vllaznia vërtetë konsiderohet “jetime”, por në fakt nuk është e tillë. Ajo ka përkrah një mori të madhe sportdashësish, që vërtetë nuk janë duke e ndjekur nga shkallët e stadiumit kohët e fundit, por sërish jetojnë me të. Dhe për më tepër, sot ka qenë ditëlindja e Vllaznisë. Në vend që t’i gëzoheshin 98-vjetorit të krijimit të saj, gjithë shkodranët sot janë marrë me Enea Jorgjin, arbitrin që me gjykimin e tij eklipsoi këtë datë historike të klubit të parë në Shqipëri.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat