Vashat e Dukagjinit fituese të turneut të Pavarësisë

Futboll

Vashat e Dukagjinit fituese të turneut të Pavarësisë

Më: 15 shkurt 2017 Në ora: 18:11
Vjollcë Krasniqi anëtare e KE dorëzon trofeun ekipit fitues

Për nder të 9 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, Federata e Futbollit  e Kosovës, sot, në fushat e futbollit “Princi” në Prishtinë, organizoi një turne në futboll të vogël me grup-moshën 16 vjeçare për femra, ku morën pjesë 10 ekipe: Kosova e Prishtinës, Vizioni, Mitrovica, Ulpiana, Intelektualet, Dukagjini, Hajvalia, Llapi, Baseli 2015 dhe 13 Qershori. Ekipet pjesëmarrëse dhe të pranishmit në hapje të këtij turneu i përshëndeti znj. Vjollcë Krasniqi anëtare e KE dhe kryetare e Komisionit për futbollin e femrave, e cila theksoi se “këtë turne po e organizojmë për nder të një dite të madhe për shtetin e Kosovës, pavarësinë, me një grup-moshë te re të femrave e cila mbase sapo ka filluar të bëjë hapat e parë të futbollit.  FFK-ja, gjithmonë ka organizuar turne të ndryshëm për këtë festë, por ne jemi përcaktuar për këtë grup-moshë, pikërisht sepse kjo në muajt në vazhdim do të na ndihmojë që të nisim një Ligë të kësaj grup-moshe.  

Shpresoj se ky turne do të jetë në shërbim të kësaj iniciative”. Në këtë turne ishin edhe nënkryetari i FFK-së Agim Ademi, sekretari i përgjithshëm Eroll Salihu dhe përzgjedhësja e Përfaqësueses së Kosovës në konkurrencën e femrave  znj. Afërditë Fazlija. Duke i përshëndetur në emër të KE dhe kryetarit Fadil Vokrri, nënkryetari Ademi tha se “ky turne nuk është i rastsishëm me këtë grup-moshë sepse ju llogariteni si brez i pavarësisë dhe ju në një të ardhme  do të mbroni ngjyrat e Kosovës, pasi të formohet Liga për grup-moshën e juaj që do të ketë si rrjedhojë edhe Përfaqësuesen e Kosovës për 16-vjeçare”.

Në vazhdim pas hedhjes së shortit u zhvilluan shumë ndeshje cilësore, ku dëshmua talent dhe futboll cilësor. Pas ndeshjeve eliminuese në finale të turneut u takuan dy skuadrat më cilësore Hajvalia dhe Dukagjini, ku skuadra e Dukagjinit u tregua më e mirë dhe fitoi këtë turne. Në mbyllje të turneut dhe duke ja dorëzuar kupën ekipit fitues znj. Vjollcë Krasniqi bëri të ditur se ekipi fitues do të shpërblehet nga FFK-ja me 300 euro, ndërsa ekipi finalist me 200 euro.

Rezultatet

Kosova (P)-Ulpiana 1:3

Vizion-Mitrovica 2:2 (me pen.2:3)

Intelektualet-Dukagjini   2:4

Baseli 2015- Hajvalia 0:1

Llapi – 13 Qershori 0:4

Në gjysmëfinale

Dukagjini- Ulpiana 2:2 (me pen, 2:1)

Hajvalia- 13 Qershori 3:1

Dukagjini-Mitrovica  4:1

Finalja

Hajvalia – Dukagjini  0:4

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat