Hysaj shuan 23 qirinj

Futboll

Hysaj shuan 23 qirinj

Më: 2 shkurt 2017 Në ora: 17:15
Hysaj

Elseid Hysaj shuan 23 qirinj. Mbrojtësi shqiptar festoi për herë të dytë ditëlindjen te Napoli, me një dedikim special të klubit të Serisë A në faqet zyrtare në rrjetet sociale.

Urimet për lojtarin që është një titullar i padiskutueshëm i Kombëtares së drejtuar nga Gianni De Biasi dhe absolutisht një prej yjeve kuqezi, nuk munguan as nga Federata Shqiptare e Futbollit.

23-vjetori i Hysaj ishte një ditë speciale, jo vetëm për festën, por edhe për momentin që po përjeton djaloshi i lindur në Shkodër. Protagonist i padiskutueshëm në dy sezonet e fundit të Napoli dhe një prej elementëve më të rëndësishëm të trajnerit Sarri, ai është konfirmuar si një lojtar i nivelit botëror dhe interesimi nga klubet më të mëdha europiane nuk mungon.

Pas Chelsea-t dhe Arsenal-it në Premier League, që cilësohen si skuadrat angleze më të favorizuara, në garën për Elseid Hysaj janë edhe dy gjigandët e La Liga-s spanjolle.

Vetëm pak orë më parë Barcelona riktheu interesin për lojtarin shqiptar, sepse prej largimit të Dani Alves klubi katalan po vuan që të gjejë garanci në krahun e djathtë të mbrojtjes. Kuqeziu ka nxitur edhe një duel me rivalët e përjetshëm të “blaugranave”, pasi Hysaj figuron edhe në listën e dëshirave të Realit të Madridit.

Megjithatë, për momentin mbrojtësi është i përqendruar te Napoli, edhe sepse pak muaj më parë rinovoi me italianët deri në vitin 2021, ndërsa gjatë verës klubet e interesuara duhet të paguajnë klauzolën me vlerë 50 milionë euro për prishjen e kontratës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat