Mesjava rikthen ndeshjet e Kupës së Shqipërisë

Futboll

Mesjava rikthen ndeshjet e Kupës së Shqipërisë

Më: 30 janar 2017 Në ora: 13:18
Ilustrim

Mesjava rikthen ndeshjet e Kupës së Shqipërisë, kompeticion i cili vjen i dyti për nga rëndësia, pas kampionatit. Fituesi i këtij trofeu shkon direkt në Kupat e Europës, ndaj gara është e ethshme, nuk lë vend për llogari e “prapaskena” të tjera. Konkretisht, të mërkurën do të luhen 4 ndeshjet e para (vajtje) të turit çerekfinal të Kupës, ku spikat pjesëmarrja e Besëlidhjes së Lezhës, nga Kategoria e Parë, në këtë “stacion”, e ardhur në kurriz të Partizanit, duke i eliminuar e turpëruar të kuqtë në raundin e shkuar. Në Grupin A do të ballafaqohen Tirana me Kukësin, në “Selman Stermasi”, dhe Laçi me Skënderbeun, në stadiumin kurbinas. Bardheblutë, si pritës, kanë fiksuar orën 17:00 për sfidën me fituesit në fuqi të Kupës së Shqipërisë, ndërsa bardhezinjtë orën 14:00. Dy sfidat e Grupit B janë Besëlidhja-Flamurtari dhe Teuta-Vllaznia, raporton telesport.  Në Lezhë luhet në orën 14:00, ndërsa në Durrës në 17:00. Kujtojmë se skuadra të tilla të mirëfinancuara, si Flamurtari dhe Tirana, janë sy e veshë nga kjo garë, duke e parë se përmes kampionatit e kanë të vështirë të fitojnë trofe dhe të shkojnë në Kupat e Europës. Edhe Vllaznia e ka bërë të ditur se do të shkojë sa më larg në Kupën e Shqipërisë, mundësisht deri në finale. Skënderbeu dhe Kukësi kanë petk favoritësh, sepse janë të tillë edhe në betejën për titull kampion. Laçi, që e ka fituar dy herë këtë trofe, duhet të bëjë llogari pas çerekfinaleve me Skënderbeun. Nëse merr “bekimin” nga korçarët për të shkuar në gjysmëfinale e më tej, kurbinasit nuk do të kursehen, edhe pse notojnë në ujërat e turbullta të mbijetesës në Superiore.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat