Tirana merkato e bllokuar, dështon Bakaj

Futboll

Tirana merkato e bllokuar, dështon Bakaj

Më: 28 janar 2017 Në ora: 07:35
Bakaj

Tirana, Nga shiu në breshër. Klubi bardheblu nëpërmjet një komunikate për shtyp konfirmoi zërat që kishin nisur të qarkullonin prej disa orësh. Merkato bardheblu për sesionin e dimrit është e bllokuar nga Fifa për shkak të borxheve të prapambetura. Dështon në këtë mënyrë afrimi i Elis Bakajt, akordi me të cilin ishte arritur dhe që ishte një shkëndijë shprese në këto ditë të zymta për ngjyrat bardheblu. Këtë të enjte klubi njoftoi prezantimin e fantazistit për mesditën e së premtes , event që më pas u anullua dhe tanimë të gjitha arsyet janë të qarta. Bakaj nuk mund të afrohet te Tirana, ashtu si askush tjetër, merkato bardheblu është e bllokuar nga Fifa me klubin që saktëson se dënimi për borxhet e pashlyera vlen vetëm për merkaton e janarit. Pak më vonë Federata Shqiptare e Futbollit sqaroi më saktësisht edhe cështjen për të cilënë sështët dënuar Tirana. Ashtu sic ishte njoftuar më herët në Sport News bëhet fjalë për Martin Kavdanskin, mbrojtësin bullgar të afruar në verën e vitit 2015 i cili kishte fituar gjyqin me Tiranën në Fifa. Në këtë histori ka dhe një detaj interesant. Sipas njoftimit të shpërndarë në FSHF Fifa ka njoftuar se në datën 25 gusht 2016, për shkak të një tejkalimi të një afati 30 ditor që i ishte lënë Tiranës për shlyerjen e pagesës së futbollistit kishte hyrë automatikisht në fuqi pika e pestë e vendimit që nuk i lejonte Tiranës të kryente transferime lojtarësh për sesionin e ardhshëm të merkatos pra atë të janarit. FSHF njofton se Tirana ka kryes pagesën e lojtarit një ditë më pas në datën 26 gusht, ndërkohë sic dëshmon edhe faksimilja e komunikatës zyrtare të Tiranës në 25 gusht 2016, bardheblutë siguronin opinionin publik se pagesa ndaj mbrojtësit bullgar ishte kryer në kohë. Pra jo vetëm që vendimi për bllokimin e merkatos ishte marë që në gushtin e kaluar për shkak të mosrespektimit të afatit, por ka edhe një mospërputhje të komunikatës së Tiranës që njoftonte se kishte kryer pagesën në datën 25 gusht ndërsa FSHF konfirmon se ajo është kryer në datë 26 pra një ditë pasi kishte hyrë në fuqi vendimi për pezullimin e merkatos.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat