Tirana, Domgjoni: Titulli mbetet ende objektiv

Futboll

Tirana, Domgjoni: Titulli mbetet ende objektiv

Më: 15 janar 2017 Në ora: 08:09
Domgjoni

8 ndeshje në dy pjesët e para të Kategorisë Superiore dhe një nga lojtarët surprizë të këtij kampionati. Mbrojtësi 19-vjeçar i Tiranës, David Domgjoni duket se ka fituar besimin e drejtuesve të stolit bardheblu, duke u konfirmuar një element interesant për të ardhmen e Tiranës. Pas huazimit te Kastrioti, lojtari i lindur në Prizren është bashkuar me ekipin bardheblu dhe aktualisht ndodhet në Antalya për fazën përgatitore me skuadrën e Josës ku gjatë ditës së shtunë është bashkuar edhe Afrim Taku, ndërsa skuadra po punon me një skemë të re 3-4-3 por për 19-vjeçarin, kjo nuk përbën një problem.

“Është një rreshtim i ri por jo i vështirë. Jemi ambjentuar dhe këtë e kemi treguar edhe në ndeshjen miqësore”.

8 ndeshje nga 18 të mundshme nuk janë maksimumi për një lojtar, por Domgjoni e pranon se te Tirana nuk ka titullarë.

“E dimë që Tirana është një ekip i madh dhe çdo lojtar ka shanset e veta, ashtu si unë. Këtë e vendos stafi drejtues”.

Vendi i katërt dhe shkëputja e Tiranës nga kreu i kanë zbehur disi shpresat për titullin, por 19-vjeçari beson se gara do të jetë e hapur.

“E vështirë nuk është sepse jemi vetëm 9 pikë larg vendit të parë. Do të përpiqemi të marrim maksimumin në çdo ndeshje dhe në fund të kampionatit do të bëjmë llogaritë”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat