Tiranë e vjetër për vit të ri

Futboll

Tiranë e vjetër për vit të ri

Më: 5 janar 2017 Në ora: 00:11
Tirana

Vit i ri, Tiranë e vjetër. Bardheblutë kanë zbritur për herë të parë për vitin 2017 në fushën e kompleksit Skënder Halili. Një skuadër jo e plotë ka qenë nën urdhërat e trajnerit Mirel Josa, që ka parë nga pranë dhe formën fizike të lojtarëve. Në këtë seancë të parë grupi nuk ka qenë i plotë pasi mungesat ishin evidente. Portieri Ilion Lika, mbrojtësi Olsi Teqja si dhe mesfushorët Afrim Taku dhe Erando Karabeci nuk ishin në këtë seancë të parë stërvitore. Gjithashtu binte në sy mungesa e futbollistëve nga kontinenti afrikan, teksa me skuadrën është vetëm Reuben Aquah, i cili nuk u largua nga Shqipëria pas përfundimit të fazës së dytë të kampionatit.

Në seancën e parë stërvitore Gjergji Muzaka dhe Dorian Kërciku janë stërvitur të diferencuar, pasi ende ndjejnë shqetësime në dëmtimet e pësuara disa javë më parë. Edhe pse ende nuk është bërë zyrtare, Tirana pritet të niset për fazë përgatitore drejt Turqisë gjatë kësaj fundjave, ku do të vijojë me seancat stërvitore dhe me ndeshje miqësore. Viti i ri nuk ka sjellë ende dhuratën e shumëpritur për 24 herë kampionët, të cilët vijojnë të vuajnë problematikën e vitit të shkuar, me mungesa të shumta nën urdhërat e trajnerit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat