Inter, Gagliardini goditja e parë në merkato

Futboll

Inter, Gagliardini goditja e parë në merkato

Më: 3 janar 2017 Në ora: 16:25
Roberto Gagliardini

Italianizimi i Interit nis nga Roberto Gagliardini. Mesfushori 22-vjecar është goditja e parë e skuadrës zikaltër në merkaton e Janarit, një sinal mëse i qartë ky se kinezët e Suning Group që kanë pronësinë e klubit kërkojnë të ndërtojnë një Inter të fortë të bazuar te futbollistët e talentuar italianë. Gagliardini i cili është një nga zbulimet më të bukura të këtij kampionati, teksa në fazën e parë ka arritur të shkëlqejë me fanellën e Atalantës, do të transferohet te Interi në formë huazimi për 2 miljonë Euro me detyrim blerjeje në fund të sezonit për 23 miljonë Euro të tjera plus 3 bonuse.

Gagliardini është dhurata e parë e Zhang Jindong për Stefano Piolin i cili duke filluar që nga ndeshja e parë e këtij viti  ajo ndaj Udineses do të mund të mbështetet te një lojtar me peshë në repartin e ndërmjetëm. Gagliardini është një mesfushor me tipare mbrojtëse i aftë për të rikuperuar shumë topa dhe mbi të gjitha ka vizion për të shpërndarë lojën. Por 22-vjecari nuk do të jetë italiani i vetëm që do të transferohet te Interi sepse në verën e ardhshme, pronarët kinezë të klubit me në krye Zhang Jindong do të tentojnë të blejnë emra të tillë si Marco Verrati, Domenico Berardi, Federico Bernardeschi, pa harruar Acerbin, Darmian dhe Crisciton. Emra të rëndësishëm që nëse kalojnë te Interi jo vetëm që do të italianizonin skuadrën zikaltër por ta bënin Interin një ekip më të bukur për tu parë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat