Gashi tregon ‘ëndrrën amerikane’

Futboll

Gashi tregon ‘ëndrrën amerikane’

Më: 30 dhjetor 2016 Në ora: 15:59
Gashi

Shkëlzen Gashi u nis një vit më parë drejt SHBA-së duke e quajtur veten një “eksplorator”. Pas një sezoni në MLS, sulmuesi shqiptar mendon se ka arritur qëllimin e tij, duke realizuar “ëndrrën amerikane”, pasi tani është kthyer në një emër shumë të njohur përtej Atlantikut. Në një intervistë të dhënë për “20min.ch”, futbollisti shqiptar ka treguar eksperiencën e tij në këtë vit të parë, duke insistuar se nuk iu bashkua Kolorado Rapids për para dhe duke bërë të qartë sidomos bindjen se raporti i tij me kombëtaren shqiptare nuk ndikohej kurrsesi nga kjo zgjedhje që kishte bërë, raporton panoramasport.

Shkëlzen Gashi, shumë shpejt mbushet viti që kur u nisët për të jetuar ëndrrën amerikane. Pse u larguat nga Bazeli një vit më parë, a nuk kishte opsione të tjera?

Kishte disa kërkesa nga Seria A, Bundesliga, etj. Por unë dëshiroja që të përjetoja diçka ndryshe. Ndryshova drejt një vendi ku zakonisht kaloj pushimet dhe ku jetojnë disa miq të mi. Kur më erdhi kërkesa nga MLS për mua ishte gjithçka e qartë: do ta merrja seriozisht në konsideratë atë opsion.

Po ëndrra a u bë realitet?

Absolutisht që po. Ëndrra është bërë realitet. Kam lënë pas një vit fantastik për mua. Kam njohur vendin më mirë, njerëzit, kultura dhe mentalitete të ndryshme. E pabesueshme. Dhe kam arritur të përmirësoj anglishten time.

Por ai kampionat duket si një ndalesë e fundit për yje të plakur, të cilët mund të bëjnë ca para para se të mbyllin karrierën e tyre…

Nëse do të dëshiroja të bëja shumë para, unë do të kisha shkuar në Kinë apo në Dubai. Por këto mundësi nuk ma ngacmonin interesin.

Tani jeni më i pasur në eksperiencë dhe çmime…

Mund ta thuash këtë me plot gojë. Nuk e dija që ekzistonin kaq shumë çmime. “Lojtari i Vitit”, “Goli i Vitit”, “Lojtari i Fansave”, dhe javën e kaluar mësova se fitova një çmim si “Lojtari më social në MLS”. Tipike amerikane. Nuk lënë asgjë jashtë (qesh).

Çfarë e bën kaq speciale MLS-në?

Stadiumet janë gjithmonë të mbushura, edhe pse mund të jenë shumë të mëdhenj. Një ndeshje në Los Anxheles apo në Nju Jork, në stadiume që mbajnë 60 mijë spektatorë, është gjithmonë fantastike. Ashtu është edhe të luash në stadiume të ndërtuara për futbollin amerikan. Ndeshjet janë intesive dhe argëtuese, ashtu si spektatorët me himne, barbekytë dhe fishekzjarret. Unë e shoh Amerikën si një vend shumë sportiv. Nuk është asnjëherë e mërzitshme.

A është kjo një kritikë për kampionatin zviceran i cili është dominuar në vitet e fundit nga Bazeli?

Jo, aspak, është thjesht ndryshe. MLS përbëhet nga 20 skuadra dhe çdokush mund të mposhtë çdokënd. Si fillim të gjithë duan të shkojnë në play-off dhe aty fillon e gjitha nga e para, vetëm bëhet më entuziazmuese. Për shembull Dallas ishte skuadra më e mirë në sezonin e rregullt dhe e para që u eliminua në play-off. Si është e mundur?! Është më i paparashikueshëm, tërheqës dhe në një mënyrë apo tjetrën ty të duket sikur po luan dy kampionate në një. Përveç kësaj, hapësirat janë të mëdha. Njëherë je në Montreal, pastaj në Nju Jork apo Los Anxheles. Ke orë të ndryshme në bazë të vendit ku je, një klimë gjithmonë të ndryshme. Kjo e bën gjithçka shumë interesante.

Sa keni arritur të përshtateni?

Unë jetoj mirë në Denver. Kam një apartament afër qendrës, në një zonë të mirë, me shumë restorante afër që frektuentoj. Denver është një qytet sportiv me shumë klube elitare dhe unë jam gjithashtu shumë i interesuar për sportet e tjera si bejzboll apo basketbolli. Jam një tifoz i madh i Denver Bronkos (futboll amerikan) dhe më kanë ftuar në ndeshjet e tyre.

Domethënë të njohin?

Them se po. (qesh) Njëherë, folësi në stadium në mes të ndeshjes bëri lajmërimin “Shkëlzen Gashi është mes nesh” dhe të gjithë spektatorët brohoritën dhe duartrokitën.

Nderim për atë që e meriton, keni shënuar 10 gola në 30 ndeshje dhe keni marrë çmime të ndryshme…

Siç e thashë, ishte një vit fantastik, ku maksimumi ishte pjesëmarrja në Europian me ekipin kombëtar të Shqipërisë.

A nuk ishte e vështirë për një shqiptar që të luante në një kontinent tjetër?

Thuajse në të njëjtën kohë me Europianin u luajt edhe Kupa e Amerikës dhe kishte ndërprerje të kampionatit, unë humba vetëm një ndeshje. Edhe për ekipin kombëtar, përkushtimi in në Kolorado nuk është pengesë. Gjithçka ka ecur siç duhet deri tani.

Kjo do të thotë se nuk do të ktheheni më në Europë?

Në futboll nuk i dihet kurrë. Me këto gjëra merret menaxheri im, nëse interesohet një klub apo një tjetër. Të shkojë si të shkojë.

A po i gëzoheni pushimeve tuaja në Europë?

Po. Është në fakt pak për të qeshur se kampionati është pushim për rreth 3 muaj e gjysmë. Nuk e kam përjetuar asnjëherë më parë një gjë të tillë dhe më parë me vështirësi rrija pushim një apo dy javë. Por jam i lumtur që shoh familjen time dhe që takoj miqtë e mi, thjesht të kaloj kohën dhe të mos kem ndeshje.

Kur do të ktheni përsëri në SHBA?

Në fund të janarit. Atëherë do të udhëtojmë për në San Diego për dy javë, për fazën përgatitore dhe më pas dy javë të tjera në Arizona. Kampionati fillon më 3 mars dhe unë e pres me padurim.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat