Endrit Krasniqi dhe Bleon Sekiraqa ndër 10 më të mirët

Futboll

Endrit Krasniqi dhe Bleon Sekiraqa ndër 10 më të mirët

Më: 29 dhjetor 2016 Në ora: 13:34
Endrit Krasniqi e Bleon Sekiraqa

Në ambientet e Komunës së Prishtinës, janë ndarë çmimet për laureatët e vitit 2016. Komisioni i përbërë nga disa gazetarë, ka përzgjedhur, në mesin e më të mirëve edhe dy futbollistë të Prishtinës. Mesfushori, Endrit Krasniqi, është përzgjedhur në mesin e dhjetë sportistëve më të mirë të Komunës së Prishtinës për vitin që po lëmë pas. Krasniqi, 23-vjeç, është dalluar me paraqitjet e tij gjatë tërë vitit kalendarik dhe padyshim, ndër më meritorët për arritjen e suksesit në trofeun e Kupës me dy asistime dhe realizues i golit të Superkupës – dy trofe këto që ia shpëtuan klubit sezonin e kaluar dhe tani në këtë edicion me shumë optimizëm ndjek titullin e kampionit. Endriti, në vitin kalendarik 2016, gjithsejtë ka zhvilluar 26 ndeshje zyrtare, prej tyre ka arritur 19 fitore, 4 barazime dhe vetëm 3 humbje, duke shënuar 4 gola dhe asistuar 3 herë, shkruan faqja e FC Prishtina. Sulmuesi, Bleon Sekiraqa, është zgjedhur në dhjetë shpresat e vitit të Komunës së Prishtinës. Sekiraqa, 16-vjeç, futbollist i kategorisë së kadetëve që garojnë në Superligë dhe vjeshtën kanë mbyllur në vend të dytë në luftë të rreptë për titullin e kampionit. Me paraqitjet e tij brilante, Sekiraqa ka treguar se është potenciali më i madh i futbollit tonë. Dhe, megjithëse moshën e re, Sekiraqa do të marrë pjesë me skuadrën e parë në turneun e Gjermanisë dhe me gjasa të mëdha stinorin pranveror do ta pres si pjesë e ekipit të parë të Prishtinës. Sekiraqa, së fundi është shpërblyer me kontratë profesionale nga klubi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat