Tirana, Josa ka nevoje per “mini-revolucion”

Futboll

Tirana, Josa ka nevoje per “mini-revolucion”

Më: 24 dhjetor 2016 Në ora: 17:24
Josa

16 gola të shënuar dhe 10 të pësuar, një vend i katërt në kampionat që në fund të sezonit garanton Europën vetëm në rast të një verdikti fatlum në Kupën e Shqipërisë. Llogaritë te Tirana pas gjysmës së parë të sezonit nuk dalin me bardheblutë që edhe pse kanë luajtur disa ndeshje të mira, si për shembull ajo e fazës së parë me Skënderbeun kanë vuajtur oshilacionet duke shprehur shpesh herë një lojë të vakët sidomos për sa i përket goditjes së portës. Eksperienca dhe mentaliteti fitues i Josës që mori drejtimin e skuadrës pas Ilir Dajës nuk është reflektuar në rezultate dhe trajneri 53-vjecar, menjëherë pas ndeshjes së fundit me Vllazninë, e bëri të qartë se organika bardheblu ka mangësi duke e shprehur publikisht nevojën e një mini revolucioni në merkaton e dimrit.

Josa nuk e fsheh, disa prej futbollistëve nuk janë të denjë për fanellën bardheblu, mbetet për tu parë se cilët, nën akuzë mbi të gjithë padyshim Cisse, sulmuesi që Krishtlindjet e gjejnë pa ditur se cfarë është goli në Kategorinë Superiore, por natyrisht nuk është i vetmi. Emrat me saktësi i di vetëm Josa, e kotë të aludosh, e rëndësishme është për të parë se sa i gatshëm do të jetë klubi për të plotësuar kërkesat e trajnerit. Padyshim që imediate është gjetja e një qendërsulmuesi, por edhe pse është vënë më pak në dukje, Tirana ka padyshim nevojë edhe për përforcime në qendrën e mbrojtjes. Të dy futbollistët që janë aktivizuar më së shumti titullarë në këtë sektor, Gentian Muca dhe Teqja, janë natyralizuar në këtë rol pasi kanë lindur mesfushorë, ndërsa dhe mungesat e tyre për shkak të dëmtimeve kanë shkaktuar jo pak probleme për stafin teknik. Për të nisur një kurs të ri, Tirana ka nevojë dhe për emra të rinj, topi është në fushën e presidentit Halili.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat