Dybala, Evra dhe… arsyet pse Juventus humbi Superkupën

Futboll

Dybala, Evra dhe… arsyet pse Juventus humbi Superkupën

Më: 24 dhjetor 2016 Në ora: 00:23
Lojtaret e Juventusit

Nëse skuadra më e fortë humbet një ndeshje shpesh duhet të krijohet një kombinim faktorësh që kjo të ndodhë. Duhet që skuadra më e dobët, në këtë rast Milan-i, të luaj një ndeshje ku vlera e shprehur nga grupi kalon atë të lojtarëve të marrë individualisht. Dhe deri këtu gjithçka është logjike, me Montella-n që meriton komplimentet. Duhet që lojtarët më të mirë të ekipit të japin më shumë se maksimumin, siç ka bërë Donnarumma kundër Khedira-s dhe në rastin e penalltisë së Dybala. Më pas duhet edhe pak fat. Sa herë ka ndodhur që “Joya” të gabojë një gol të lehtë, duke shtuar këtu edhe gabimin vendimtar nga pika e bardhë e penalltisë, e para për të qëkur është tek Juventus pas dy gabimeve të bëra me Palermon (pikërisht kundër Milan-it)?

Dybala, i dëshpëruar pas finales së humbur me Milan

Pavarësisht nga këto gabime, do të ishte qesharake të vihej në diskutim një talent si argjentinasti. Edhe vendimi për ta aktivizuar nga stoli nuk është i gabuar. Një lojtar me klasin e tij mund të ndryshojë ndeshjen kur kundërshtarët janë të lodhur. Pa harruar se Mandzukic, në formë të shkëlqyer në këtë moment të sezonit, nuk mund të lihet jashtë ekipit. Allegri ka zgjedhur ta pozicionojë si fantazist mbrapa krahëve të Higuain dhe kroatit. Problemi është se kur Dybala luan 20 metra larg portës nuk ka të njëjtin efikasitet. Tashmë Juventus e ka kompletuar kalimin nga mbrojtja me tre lojtarë tek ajo me katër: në këtë mënyrë Allegri ka shumë alternativa në sulm. Tani do të jetë e rëndësishme të ngrihet morali i lojtarit, edhe pse kampionët si ai zakonisht reagojnë ndaj shuplakave që marrin, duke dhënë  një më të fortë.

Lojtarët e Juventus pas ndeshjes me kuqezinjt¥

Më pas vjen radha e Alex Sandro. Nëse ai nuk është lojtari më i mirë i bardhezinjve i koleksionit vjeshtë/dimër, i shkon shumë afër. Vrapon, është i fuqishëm, i besueshëm edhe kur mbron. Ish-lojtari i Porto-s e ka nisur takimin si zakonisht, duke mbizotëruar në krahun e majtë dhe e ka zbukuruar duke bërë një kalim mes këmbëve të kundërshtarit që ka bërë sheikët e pranishëm të lëvizin nga fronet ku ishin ulur në tribunë. Është mbresëlënës fakti se ka mjaftuar dalja e tij nga loja pas 33 minutash për të ndryshuar ndeshjen. Zëvendësuesi i tij, Evra, është keqtrajtuar nga Suso. Rrallë herë Juventus është vënë kaq shumë në vështirësi nga një lojtar i vetëm si spanjolli. Allegri ka gjetur zgjidhjen vetëm në kohën e dytë shtesë, duke ndryshuar pozicionet e Lemina dhe Khedira. Që janë ndihmuar edhe nga rënia fizike e spanjollit, i cili ka qenë më i miri në fushë.
 

Pasi është kuptuar se diçka do të ndryshojë në janar, për sa i takon mesfushës, ku duhet pak më shumë fuqi, duhet kuptuar roli i Pjanic te ky Juventus. Skema 4-3-1-2, me një mesfushë fizike mbrapa krahëve e ndihmon akoma më shumë boshnjakun të tregojë vlerat e tij, por ai duhet të rrisë nivelin e lojës nëse nuk do të jetë në balotazh në çdo ndeshje. Kjo çështje ecën paralelisht me atë të sulmit: Higuain nuk është marrë për të luajtur me kohë të pjesshme, Mandzukic po tregon se është i pazëvendësueshëm dhe Dybala është shumë i fortë për t’i nisur ndeshjet nga stoli. Nuk duhet harruar as Cuadrado dhe Marko Pjaca. Ideja që të humbja në Doha të kategorizohet thjesht si një mbrëmje e keqe është më se e pranueshme. Por për të luftuar si të barabartë me të mëdhenjtë e Champions League kantieri duhet mbyllur në shkurt./telesport 

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat