Rinovimi i Diego Costas, 62 milionë euro në 5 vjet

Futboll

Rinovimi i Diego Costas, 62 milionë euro në 5 vjet

Më: 21 dhjetor 2016 Në ora: 17:16
Costa

Diego Costa shënon një tjetër gol. Një rrjetë që i shërben si statistikë në listën e golashënuesve të Premierligës, ku kryeson me 13 gola, por që ka mjaft rëndësi. 28-vjeçari është pranë rinovimit të kontratës me Chelsea-n. Shifrat janë të rëndësishme: sulmuesi spanjoll do të zgjasë me 5 vjet qëndrimin në Stamford Bridge, ku në total do të përfitojë 62 milionë euro.

Paga vjetore e Diego Costës do të jetë 12,5 milionë euro, duke përmirësuar në këtë mënyrë kontratën e mëparshme, ku prej transferimit në Londër në vitin 2014 nga Atletico Madrid përfitonte 9 milionë euro. Sipas marrëveshjes së re, sulmuesi do të mbrojë ngjyrat e Chelse-t deri në vitin 2021 dhe do të përfitojë afro 60 mijë euro më tepër në muaj në krahasim me kontratën aktuale.

Gjithçka përsa i takon rinovimit është gati dhe tashmë mungon vetëm zyrtarizimi nga klubi. Drejtuesit e Chelse-t nuk kanë ndërmend të heqin dorë nga sulmuesi, që në pjesën e parë të këtij edicioni ka shënuar 13 gola, një më tepër nga sa realizoi gjatë gjithë sezonit të kaluar në 28 ndeshje.

Diego Costa është një prej elementëve më të rëndësishëm në ecurinë rekord të skuadrës së Antonio Contes, me trajnerin italian që në fillim të sezonit këmbënguli për të mbajtur në skuadër. Me kontratën e re prej 12,5 milionë eurosh në sezon, sulmuesi do të bëhet një prej lojtarëve më të paguar të Premierligës angleze, ku podiumi aktualisht është i gjithi për Manchester United, me Paul Pogba në vendin e parë, Wayne Rooney i dyti dhe Zlatan Ibrahimovic në vendin e tretë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat