Conte: Punova shumë për të gjetur formulën e suksesit

Futboll

Conte: Punova shumë për të gjetur formulën e suksesit

Më: 18 dhjetor 2016 Në ora: 12:54
Conte

11 ndeshje dhe po kaq fitore në 11 javët e fundit. Antonio Conte është njeriu i momentit në Angli sepse Chelsea nuk ndalet përpara asgjëje. Trajneri italian ka arritur të ndërtojë një tank të vërtetë që shkatërron javë pas jave çdo kundërshtar. Në 11 ndeshjet e fundit, me skemën 3-4-3 ai ka arritur t’i japë një fytyrë të re skuadrës që ka shënuar 25 gola dhe ka pësuar vetëm 2. Pas suksesit të radhës në fushën e Crystal Palace, Conte shprehet se grupi ka gjetur harmoninë edhe pse për të nuk ka qenë e lehtë të rindërtonte një skuadër që sezonin e fundit nuk arriti të kualifikohej në kupat e Europës.

“Kisha nevojë për pak kohë. Nuk ishte aspak e pehtë përshtatja me futbollin anglez sepse duhet ta kuptosh mirë. Provova disa formula përpara se të ndryshoja formacionin por pika më e fortë është mentaliteti që kemi. Kemi punuar shumë dhe vazhdojmë ta bëjmë gjatë gjithë javës si në aspektin fizik ashtu edhe në aspektin taktik”

Gjithsesi, Conte refuzon të flasë për titullin kampion pasi kampionati mbetet ende i gjatë. “Nuk duhet të shiojmë klasifikimin por të vazhdojmë në rrugën që kemi nisur”, thekson ish trajneri i Italisë që në ndeshjen e ardhshme kundër Bournemouth nuk do të ketë në dispozicion bomberin Diego Costa dhe mesfushorin N’Golo Kante për shkak kartonësh.

“Nuk e di nëse Diego Costa e meritoi atë karton të verdhë por këto janë gjëra që ndodhin dhe ne duhet të gjejmë një zgjidhje. Ai dhe Cante janë shumë të rëndësishëm për skuadrën tonë, gjithsesi ndeshjen e radhës e luajmë në shtëpi dhe kemi nevojë për mbështetjen e tifozëve tanë”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat