Tirana e Korabi, fqinj në stërvitje

Futboll

Tirana e Korabi, fqinj në stërvitje

Më: 7 dhjetor 2016 Në ora: 18:14
ilustrim

Dy ekipe në kërkim të pikeve dhe reagimit. Këtë fundjavë është radha e sfidës Tirana-Korabi. Edhe pse në pozicione të ndryshme në tabelën e klasifikimit, kryeqytetasit dhe dibranët kanë nevojë urgjente për pikë dhe fitorja është rruga e vetme në të dyja kampet. Në stërvitje, Josën dhe Haxhiun i ndajnë vetëm pak metra. Kompleksi stërvitor “Skënder Halili” këtë sezon është edhe shtëpia e përkohshme e Korabit dhe në mënyrë të paevitueshme edhe dy skuadrat do të stërviten pothuajse në të njëjtën hapësirë. Kështu nisi java përgatitore për trajnerin Mirel Josa i cili zbriti në fushë skuadrën e tij për një seancë të shkurtër vetëm pak orë pas disfatës ndaj Flamurtarit, ndërsa disa metra më larg në aneksin tjetër të kompleksit, Gerd Haxhiu dha direktivat e para për ekipin që dëshiron të shikojë në fushë të shtunën. Në shtëpinë e “armikut”, bardhekuqtë u dukën më të qetë dhe më të relaksuar pasi përtypën me vështirësi humbjen ndaj Teutës, por tashmë fokusi është te java e ardhshme që do të çelë serinë e një cikli prej 4 ndeshjesh, të gjitha vendimtare për Korabin në kërkim të fitores së dytë sezonale. Në krahun tjetër, trajneri Josa angazhoi me ritëm të lartë lojtarët që nuk u aktivizuan titullarë në Vlorë, për të evituar sforcimin në radhët e grupit të tij. Ndoshta paksa ironike, por dueli Tirana-Korabi do të luhet gjatë gjithë javës në kompleksin “Skënder Halili”, fituesi? Ndoshta skuadra që do të arrijë të vjedhë më shumë nga strategjia e kundërshtarit. Përshëndetjet në distancë janë e vetmja mënyrë për të ulur disi tensionin në prag të kësaj sfide delikate sepse të Shtunën, fjalën e fundit do ta thotë vetëm fusha e “Selman Stermasit”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat